Ekskluzive / Regi Lushkja: Dua të sfidoj Moldavinë me kombëtaren, Laçit i mungon agresiviteti

by admin
Spread the love

Për 6 vite te Laçi, Regi Lushjka ishte absolutisht lojtari më deçiziv te kurbinasit, deri sa erdhi momenti që ai të provonte një aventurë jashtë Shqipërisë. Mesfushori fantazist kaloi ne Moldavi te Sheriffi i Tiraspolit duke u rikthyer menjëherë vendimtar. Golat dhe performancat e Lushkjas i dhanë një tjetër ritëm skuadrës. Në një intervistë për Oversport, mesfushori thotë se i vjen keq për situatën në të cilën ndodhet Laçi, ndërsa sipas tij mungon agresiviteti.

“Më vjen keq për gjendjen në të cilën ndodhet Laçi në këto momente. Ne jemi mësuar që ta shohim Laçin  ne vendet e para të renditjes vitet e fundit, por shpresoj që do e kalojnë këtë situatë të keqe. Nga skuadra janë larguar lojtarë me peshë që e kanë mbajtur vitet e fundit ekipin mbi supe. Mendoj që kurbinasve iu mungon agresiviteti sepse Laçi gjithmonë ka qenë luftarak sidomos në fushën e vet. Lojtarët e rinj këtë duhet të kuptojnë, të japin shpirtin në fushë dhe të luftojnë për çdo top dhe në çdo ndeshje.”

Secili sipas ish-mesfushorit kurbinas duhet të mbajë përgjegjësi, nga lojtarët dhe deri te trajneri: “Te Laçi ka shumë që kujdesen për ekipin dhe besoj se do të dalin nga kjo situatë. Lojtarët dhe trajneri duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe besoj se do te kthehen te rezultatet pozitive.”

Regi Lushkja ndër të tjera tregon se ofertat nga Superiorja kanë qenë të mëdha kur ai luante te Laçi.

“Ka patur ekipe ne Superligë që janë interesuar për shërbimet e mia, por qëllimi im ka qenë që mbas Laçit të lëvizja në një ekip jashtë Shqipërisë”

A ka patur ndonjë moment që Lushkja ka qenë pranë grumbullimit të Kombëtares? Ja se si përgjigjet futbollisti.

“Ka patur spekulime në lidhje me Kombëtaren, por deri më tani asgjë nuk është konkretizuar edhe normalisht që unë shpresoj që një ditë të vesh fanellën e Kombëtares sepse është një ëndërr dhe besoj se një ditë do e arrij këtë gjë.”

Në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, Shqipëria është pozicionuar në Grupin E me Poloninë, Republikën çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë. Këta te fundit, Lushkja i njeh mjaft mirë dhe mesfushori do dëshironte të përballej kundër tyre me fanellën kuqezi.

“Mendoj që është një grup shumë i favorshëm për Kombëtaren tonë, kemi mundësi që të dalim sa më mirë në këtë grup. Kam patur një bisedë të shkurtër me një pjesëtar të stafit të ekipit tim dhe e vlerësojnë shumë Kombëtaren tonë. E dinë që jemi të fortë dhe ju duket interesante që të kenë një përballje kundër nesh. Gjithashtu edhe unë shpresoj që pse jo në atë ndeshje të jem pjesë e Kombëtares.” / Oversport.tv

You may also like