E Dija | Shqip

by admin
Spread the love
Edison Çeraj

Çdo njeri vjen i mësuar (me nji dhunti) në këtë jetë, por ajo që ndodh është se mund t’i harrojë ato që tashmë i di dhe thelbi i mësimdhanies qëndron pikërisht te të kujtuarit dhe nxitja që dijen apo dhuntinë unike me të cilën lind çdokush me e zbulu, me e ushtru dhe kështu me e kultivu shoqërinë dhe natyrën nëpërmjet saj. Nji dhunti unike për rrethana specifike. Secili është kaq i ndryshëm nga tjetri e secila rrethanë me të cilën përballet është e ndryshme nga ajo e dikujt tjetër.

Edison ÇERAJ, Tiranë

1

Nga përvoja shtatëmbëdhjetë-vjeçare si pedagog, nji gja e di me siguri: nëse mësimdhanësi nuk i beson asaj që përcjell, nëse nuk e don atë që ban, nuk mund ta duan as nxanësit, nuk mund ta besojnë as ata atë që u përcillet. Emerson-i thotë diku se “misioni i mësimdhanësit është me ua ba të dashur nxanësve landën që u jep”, sepse ata nxanë e mësojnë vetë.

Problemi i shumicës së mësimdhanësve sot nuk është se nuk po i mësojnë nxanësit/studentët, por pikërisht ngaqë po ngulmojnë me i mësu, domethanë me i tjetërsu, veçmas në ish-vendet komuniste/socialiste, dhe natyrisht kjo merret si nji formë fyerjeje nga nxanësit, pavarësisht se sa të vetëdijshëm janë për këtë, gjithsesi ata e ndiejnë këtë fyerje të inteligjencës, dhe reagimi i pashmangshëm i tyre është kundërshtimi në trajtën e zbehjes së vullnetit për dije e kërkim. Këtu nis humbja e vetëbesimit, sepse ne i kemi ba ata me besu se nuk dinë, se vijnë bosh në këtë jetë, pa nji thelb, tabula rasa, të cilin duhet ta marrin gjatë rrugës.

“Siç ka thënë Kant-i, njerëzve nuk duhet t’u mësohet filozofia, por duhet t’u mësohet të filozofojnë. Kjo është metoda e dialogëve të Platonit, e mbështetur në shkëmbimin e drejtpërdrejtë, spontan, gjatë të cilit lindin pyetje… (Sabato)

Çdo njeri vjen i mësuar (me nji dhunti) në këtë jetë, por ajo që ndodh është se mund t’i harrojë ato që tashmë i di, dhe thelbi i mësimdhanies qëndron pikërisht te të kujtuarit dhe nxitja që dijen ose dhuntinë unike me të cilën lind çdokush me e zbulu, me e ushtru dhe kështu me e kultivu shoqërinë dhe natyrën nëpërmjet saj. Nji dhunti unike për rrethana specifike. Secili është kaq i ndryshëm nga tjetri dhe secila rrethanë me të cilën përballet është e ndryshme nga ajo e dikujt tjetër.

E mbaj mend shumë mirë se si më është dhanë letërsia apo filozofia, qoftë dhe fizika gjatë 8-vjeçares dhe të mesmes. Jo vetëm që nuk kam përjetu ndonji tërheqje, por i kisha shumë bezdi. E doja vetëm vizatimin dhe fizkulturën. Ma vonë, kur i rizbulova vetë autorët, pa ndërmjetës, tërheqja ishte aq e madhe, sa kalimi nga njëri libër në tjetrin ishte dhe është për mua ndër të vetmet gjana që më thotë diçka, që më motivon, që më nxit me ndejë ma shumë me veten.

Kujtoj kur u fol për Kafka-n në shkollën e mesme: u paraqit aq i errët e i pakuptueshëm, sa natyrshëm m’u ba i ftohtë, i padurueshëm. Ma vonë, kur u njoha vetë me të, ishte tronditje, sepse e përjetoja thellë çdo fjali të shkruar prej tij.

2

Nji çështje tjetër e randësishme është se prirjen për dije e kërkim nuk është aspak e thanë ta kenë dhe ta ndjekin të gjithë. Tashmë ka kohë që mbizotëron prirja masive deri në mit për shkollën e lartë, për universitetin, saqë kjo është ba matëse e vlerës së individit në shumë shoqëri, veçmas në vendin tonë.

“Ja pse shkolla e lartë në Shqipëri vlen ma shumë si status shoqëror: “pa shkollë je nji hiç”, “pa shkollë nuk të hapen dyert”, “pa shkollë nuk han bukë”, “pa shkollë nuk gjen nuse” e kështu ma radhë. Në përgjithësi, ky është presioni që e ushtron shoqëria dhe prindërit te fëmijët e tyre, nën marakun e ethshëm se “shkolla t’ban njeri”.” (E.Ç, “Shenja”, 2023)

Vetëm nji marrëdhanie e vërtetë me dijen, përtej nji diplome ose dëshmie, mund të na ripërtërijë dhe të na hapë udhën drejt zgjidhjeve për dy pyetjet madhore që e përcaktojnë vlerën dhe dobinë e çdo shoqërie: pse jetojmë dhe si të jetojmë? Nga e para rrjedh ajo që e njohim si kulturë, ndërsa nga e dyta zhvillohet qytetërimi. Midis këtyre duhet të ketë nji ekuilibër, sepse teprimi me njërën shkakton nji privim i cili shoqërohet me nji prej varfërive: ose varfëri shpirtërore ose varfëri materiale. Arsimimi do të jetë i qenësishëm dhe i dobishëm vetëm kur të marrë parasysh pikërisht kurimin e këtyre varfërive, jo vetëm njërën syresh.

E për ta arritur siç duhet këtë duhen mësimadhanës që besojnë te kërkimi dhe roli i dijes si mundësi sine qua non, që njeriu të japë ma të mirën e asaj dhuntie me të cilën lind. Çdokush e ka nji të tillë, por çështja është me i dhanë mundësinë me e shfaqë atë.

Nxanësi/studenti duhet ta gjejë veten në procesin arsimor, jo ta harrojë atë për me u ba dikush tjetër. Përndryshe, do të kemi vetëm profesionistë të automatizuar që bëjnë thjesht detyrën dhe jo atë që duhet. Si të tillë janë të destinuar të qëndrojnë në periferi të jetës. /revistashenja

You may also like