Dy nenet problematike të propozimit europian – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri Albin Kurti dha garanci se gabimet e së kaluarës në dialogun me Serbinë nuk do të përsëriten asnjëherë.

Gjatë raportimit në Kuvend për atë çfarë ndodhi në Bruksel dy ditë më parë mes tij dhe Vuçiçit, përballë njëri-tjetrit me një propozim europian përpara, Kurti tha se aty i vetmi problem është neni 10, ku flitet për formimin e Asociacionit, duke shtuar njëherësh se neni 7 i marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në bazë të konventës së Këshillit të Evropës, është e përfshirë në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.

“Gabimet historike dhe politike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëjë përpjekje maksimale që ato gabime t’i eliminoj apo së paku t’i reduktojë substacianalisht që mos të jenë pengesë për karakterin unitar të Kosovës”, tha Kurti, duke vijuar:

“I vetmi nen ku ka një problem në këtë marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara dhe për të cilën ka një konsensus ndërkombëtar që ajo duhet zbatuar. Ajo është pika 10 e marrëveshjes, neni 10, në fjalinë e fundit të tij, e cila përmbajnë normën që gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet zbatuar. Megjithatë, këtë duhet të kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë, jo si diçka të veçantë apo elementi të një marrëveshjeje. Natyrisht e kam fjalën për atë Thaçi-Daçiç të 19 prillit 2013 dhe të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiç më 2015 për Asociacionin. Unë kam pranuar se ekziston një thasë me marrëveshje. Për t’i zbatuar rreth 40 marrëveshje, njëherë duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhjes kohore dhe gjithashtu vetëm ato që ka autorizim kushtetues dhe ligjor për t’i zbatuar. Prandaj kur thuhet se duhet të zbatohen, lexoni fjalinë deri në fund pasi nuk thotë se vetëm duhet të zbatohen. Nëse më pyesni se a duhen zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar dhe miratuar nga qeveritë dhe legjislaturat e mëhershme. Përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore të republikës sonë. Duke respektuar demokracinë dhe barazinë, të drejtat e njeriut dhe simetrinë”, theksoi Kurti.

Kurti dha edhe një sqarim për nenin 7 të marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë.

“Nga pikëpamja ime, Asociacioni i komunave me shumicë serbe si marrëveshje e trashëguar nga e kaluara është në nenin 10. Në nenin 7 flitet për komunitetin serb, i cili nëse nuk jam gabim përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Kosovës. Komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe, janë kategorikisht gjëra të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahstisarit dhe një dyzinë herësh përmendet. Marrëveshja parasheh se të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar në përputhje me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë që rregullon aspektet e të drejtave të komuniteteve jo shumicë është konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave e cila është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, neni 22. S’ka konventë tjetër. Maksimumi është ajo çka Kushtetuta parasheh në nenin 22 të saj”, tha ai.

Ndërkaq, tha se ata që thonë se përmes kësaj marrëveshje s’ka njohje de-facto, të tregojnë pse Vuçiç nuk e nënshkroi marrëveshjen.

“Ata që thonë se kjo marrëveshje nuk ka njohje de-facto, e kanë barrën e provës të faktojnë se pse atë e refuzojë me nënshkrim zyrtar të saj presidenti i Serbisë. Ata që thonë se kjo marrëveshje nuk është e rregulluar me rregullimin e marrëdhënieve të dy shteteve të pavarura duhet të mendojnë se pse atëherë presidenti i Serbisë e konsideron nënshkrimin e saj si shkelje të vijave të tij të kuqe”, tha ai.

Për Kurtin, marrëveshja i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbënë një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme ndërkombëtare ndërmjet të dy shteteve të pavarur. Ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektimin e integritetit territoriale, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të republikës sonë në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin e misioneve diplomatike përmes ambasadorëve të rangut të plotfuqishëm, njohjen e simboleve shtetërore dhe kështu me radhë”, argumentoi i pari i qeverisjes kosovare. /tesheshi.com/

You may also like