Duro: Pikë pozitive, luanim me rival direkt! Rikthimi? Është vlerësim

by admin
Spread the love

Shpëtim Duro e nisi me barazim aventurën e dytë në krye të Laçit. Trajneri kryeqytetas, pas duelit me Vllazninë në Shkodër u shpreh: “Jam shumë i kënaqur me performancën e skuadrës, në të gjithë aspektet.

Rezultat i pranueshëm, pasi luanim me Vllazninë në Shkodër, një rival direkt i yni. Ne kemi kontingjent të mirë futbollistësh, kemi 17-18 lojtarë që mund të luajnë, por jam i shqetësuar pasi kemi 2-3 dëmtime dhe kemi ndeshjen e Kupës të mërkurën”.

“Çfarë duhet të ndryshojmë? Asgjë, barazimi ishte shumë me vlera përballë një kundërshtari direkt. Fitorja do ishte ideale, mundësia ishte, por ka ngarkesë psikologjikë për të gjithë skuadrat që nuk po fitojnë”, shtoi Duro në Supersport.

“Sot pashë një skuadër që veproi ashtu siç kishim punuar këto ditë, në të gjithë aspektet. Vllaznia është skuadër me potencial, ishim përgatitur të bllokonim pikat e tyre të forta si Latifi, Aralica apo Hakaj në krah. Pikë pozitive”.

“Rikthimi te Laçi? Nuk ishte zbutje. E kam thënë që arritëm rezultate historike në Europë, luftuam për titull vjet, ndërtuam skuadrën gjatë verës. Ishin disa probleme që prishëm bashkëpunimin. Duke pasur parasysh që skuadra është ajo që ndërtova gjatë verës.

Kjo ishte arsyeja që u riktheva. Për mua është pozitive, rikthimi tregon vlerësim, drejtuesit besuan sërish tek unë. Është vlerësim për mua, tani duhet të përqendrohemi te këto ndeshje”.

“Ndeshja e Kupës? Sakrifikova disa lojtarë sot. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, humbja do ngjiste Vllazninë. Të shohim nesër gjendjen e Mazrekajt dhe Malotës”, u shpreh Duro pas ndeshjes në Shkodër. / oversport.tv

You may also like