Ditën kur të përballet me një ushtri të vërtetë… – Shqip

by admin
Spread the love

Izraeli dridhet nga një grusht civilësh në Gaza, thotë presidenti turk, duke përshkallëzuar retorikën anti-Netanyahu

Presidenti turk Erdogan i përcolli paralajmërime edhe më të forta Izraelit, duke nënkuptuar se nëse një ditë shteti hebre do të përballet me ushtrinë turke, s’do ketë Perëndim ta shpëtojë.

“Izraeli do të shembet kur të përballet me një ushtri të vërtetë”, tha konkretisht Erdogan gjatë një mbledhjeje kabineti në Ankara. Ai argumentoi se “për sa kohë që Izraeli fshihet nën Perëndimin, për sa kohë që përshkallëzon mizoritë e tij, aq më të rënda do të jenë pasojat”.

Ai deklaroi se vrasja e fëmijëve të pafajshëm, grave, njerëzve të paarmatosur dhe të pafuqishëm me mjetet më moderne të luftës në botë, është një mizori që u ka hije vetëm frikacakëve si udhëheqësit izraelitë. “Është e sigurt që Izraeli, i cili dridhet para një grushti civilësh në Gaza, do të shembet kur të përballet me një ushtri të vërtetë, një forcë të vërtetë. Shpresojmë që qeveria izraelite të shërohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa pasur nevojë ta çojë veten në një fat kaq të dhimbshëm”, tha Erdogan.

“Izraeli, natyrisht, do të mbajë përgjegjësi”, vuri në dukje ndër të tjera Erdogan, duke pyetur veten: “Nuk e di se ku do të strehohet Netanyahu”. Siç argumentoi ai, “krimet e luftës që ai kreu do të kenë një vend të veçantë në gjyqet e tij në të ardhmen e afërt. Herët a vonë ata do të gjykohen në gjykatën e njerëzimit”.

Në të njëjtën kohë, ai u kthye edhe një herë kundër Perëndimit, duke thënë se “vendet që i dhanë Netanyahut këtë guxim dhe mbuluan krimet do të kenë të njëjtin fat”.

“Nëse Amerika dhe vendet evropiane nuk do të kishin mbështetur Izraelin, kjo qeveri nuk do të ishte në gjendje të vepronte kaq pamëshirshëm. E kaluara e tyre është plot mizori”, shtoi presidenti turk. /tesheshi.com/

 

 

You may also like