Devolli: Trajneri i ri? Nuk shqetësohem, na duhet fitorja përballë një rivali direkt

by admin
Spread the love

Nesër në Korçë do të luhet një duel mbijetese, pasi Skënderbeu i vendit të fundit do të përballet me Dinamon, që ka vetëm 3 pikë më shumë dhe qëndron një shkallë më lart në tabelën e klasifikimit.

Në prag të kësaj sfide vendimtare, trajneri i Dinamos, Bledar Devolli ka dhënë një konferencë për shtyp për mediat. Tekniku i “bluve” tregon gjendjen e skuadrës, analizon kundërshtarin dhe deklaron se të dyja skuadrat nuk meritojnë këtë pozicion në renditje.

Devollin nuk e shqetësojnë zërat që thonë se një italian është gati për ti zënë vendin në pankinë.

Skënderbeu – “Nesër është ndeshje shumë e vështirë ndaj një Skënderbeu që di të luajë futboll dhe në fushën e vet ata janë shumë të fortë. Kam frikë terrenin sepse mund të jetë i vështirë, kemi punuar mirë dhe me qetësi këtë javë dhe shpresojmë që nesër të na shpërblehet ky mund.

Do të doja të ishte një ndeshje me pozita të kundërta: si Dinamo dhe Skënderbeu i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Këto janë kushtet dhe duhet të fitojmë nesër ndërkohë që i japim një ‘grusht’ rivalit tonë direkt dhe të shohim vetëm përpara”.

Gjendja e skuadrës – “E rëndësishme është që po luajmë mirë. Kjo më bën optimist sepse duhet ta nisim nga pjesa e dytë ndaj Vllaznisë, që ekipi ka forcë, ka cilësi, shkojmë te porta dhe duhet të bëjmë ato gjëra si ndaj Vllaznisë, nëse i bëjmë besoj se edhe kthesa e pikët do të vijnë”.

Mungesat – “Kemi dy mungesa: Eni Imami dhe Rexhinaldo që shpresoj t’i kemi javës tjetër. Pjesa tjetër është në rregull. Maliqi dhe Simoni janë rikthyer në grup dhe nesër të bëjmë atë lojë që kemi bërë në stërvitje dhe me pak fat shpresojmë të vijë rezultati”.

Pankina në rrezik – “Mua nuk më shqetësojnë fare zërat, shoh punën dhe skuadrën time, por nuk do të ishte mirë në këtë situatë ku jemi dhe për ekipin. Jam besimplotë që çdo gjë do të shkojë në rregull”, ka thënë Bledar Devolli. / Oversport.tv

You may also like