Dëshmuam se shqiptarët mund të arrijnë çdo pozitë shtetërore – Shqip

by admin
Spread the love

Me moton JO Rusisë, Po Europës, BDI sonte promovoi Bujar Osmanit si kandidat për president për zgjedhjet e 24 prillit. Lideri i Partisë, Ali Ahmeti, tha para të pranishmëve se shqiptarët kanë kaluar shumë sfida, kanë realizuar shumë arritje dhe e kanë dëshmuar se çdo pozitë shtetërore në Maqedoninë e Veriut është e mundur edhe për shqiptarët. Kreu i BDI-së ka thënë se tani ka ardhur koha edhe për Presidentin e parë shqiptarë. Ahmeti ka theksuar se më 24 prill dhe 8 maj, shqiptarët janë në referendum për ti thënë JO Rusisë, Po Europës.

“Jo Rurisë, Po Evropës, sepse Rusia përpiqet që të mbajë ndezur flakët një rajonin e Ballkanit Perendimor. Prandaj më 24 prill dhe 8 maj të 2024 ne jemi në referendum, ne jemi në referendum për tu përcaktuar dhe në mënyrë shumë të fortë ti themi Po Evropës, Po Ardhmërisë, Po Stabilitetit, PO Sigurisë, JO Rusisë, e cila mbjell frikë e terror mbi një komb të tërë siç është Ukraina e siç planifikon të bëjë edhe pushtime të reja… Ne jemi për paqe, ne jemi për stabilitet, ne jemi për ardhmëri, por ama kërkush me ne mos hy në bela se e gjen belaja. Jo tani më ashtu siç kanë promovuar bela e sherre, por e gjen belaja se ne jemi digë e diturisë, ditë, e urtësisë, ne jemi diga e ardhmërisë, këtu ndërtohet ardhmëria. Që të jenë të gjithë, të gjithë të dijshëm”, tha Ali Ahmeti.

Kryeministri Talat Xhaferi, ka i ka dërguar porosi opozitës duke i thënë se nuk mund ta rrëzojnë Ali Ahmetin, të cilin e ka ngritur vetë popullit.

“Po dalin dhe po thonë se për qëllim kanë të rrëzojnë Ali Ahmetin. Gabim, gabim për faktin që nuk e kanë ngritur Ali Ahmetin ata, përkundrazi, buron nga populli, nga puna, nga zemra dhe nga gjaku i popullit shqiptar. Të gjithë ata kanë dalë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe i ka formuar dhe i ka krijuar Ali Ahmeti, andaj edhe në këto zgjedhje Ali Ahmeti në krye të shqiptarëve do u tregon ku e kanë vendin”, tha Talat Xhaferi.

Ndërsa Kandidati për President, Bujar Osmani, tha se e me krenari e ka nisur rrugën drejtë pozitës më të lartë shtetërore.

“Pas krye parlamentarit shqiptarë, pas kryeministrit shqiptar, jam këtu para jush për të nisur së bashku me plot krenari dhe besim rrugëtimin drejtë pozitës më të lartë politike në shtet, presidentin  republikës, e kjo, kjo do të jetë fitorja më e madhe e popullin, tonë, por do të jetë edhe fitore po kaq e madhe edhe për popujt e tjerë me të cilët na lidh bashkëjetesa në Republikën tonë… Lufta për demokraci, për barazi dhe për vlerat europiane është luftë për të ardhmen tonë dhe ajo nuk ka mbaruar. Jap fjalën solemne para jush se përkushtimi im për këto vlera është dhe do të jetë i pathyeshëm”, tha Bujar Osmani.

Osmani tha se do të jetë njeriu i politikave që i japin perparësi qëndrueshmërisë, duke promovuar praktika ekologjike dhe një qeverisje të përgjegjshme me llogaridhënie./tvklan.mk

You may also like