Dënime më të ashpra për krimet mjedisore – Shqip

by admin
Spread the love

Bashkimi Evropian ka rënë dakord për dënime më të ashpra për krimet mjedisore, të tilla si importimi i specieve pushtuese dhe ndotjes së shkaktuar nga anijet.

Direktiva përcakton më saktë “krimin mjedisor” dhe shton lloje të reja të krimeve mjedisore.

Po ashtu, harmonizon shkallët e dënimeve për personat fizikë dhe për herë të parë për personat juridikë në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, thuhet në faqen e BE-së.

Sipas marrëveshjes së re, krimet që shkaktojnë vdekjen do të dënohen me 10 vjet burg, ndërsa kompanitë rrezikojnë gjoba nga tre deri në pesë për qind të xhiros së tyre vjetore.

Marrëveshja rriti numrin e veprave penale që ekzistojnë aktualisht sipas ligjit penal të BE-së nga nëntë në 18.

“Një fitore e madhe për mjedisin”

“Kjo zgjeron dhe sqaron llojin e sjelljes që është e ndaluar sepse dëmton mjedisin. Veprat e reja përfshijnë tregtinë e lëndës drusore, e cila është shkaku kryesor i shpyllëzimit në disa pjesë të botës, riciklimin e paligjshëm të përbërësve ndotës të anijeve dhe shkeljet e ligjeve kimike”, thuhet në deklaratë.

Komisioneri Evropian për Mjedisin Virginijus Sinkevičius deklaroi se krimet mjedisore janë në rritje.

“Ne arritëm një marrëveshje të rëndësishme për një ligj të ri kundër krimeve mjedisore. Kjo është një fitore e madhe për mjedisin dhe qytetarët, si dhe kundër krimit të organizuar”, tha ai.

Krimi mjedisor është një nga aktivitetet më fitimprurëse të krimit të organizuar në botë dhe ka një ndikim të madh jo vetëm në mjedis, por edhe në shëndetin e njerëzve.

Vështirë për të zbuluar, ndjekur penalisht dhe dënuar

Është shumë fitimprurëse, por e vështirë për t’u zbuluar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar, shtohet në deklaratë.

Direktiva e parë e BE-së për mbrojtjen e mjedisit përmes ligjit penal u miratua në vitin 2008.

Pas vlerësimit 2019-2020, Komisioni Evropian doli në përfundimin se efekti i direktivës ishte i kufizuar, për shkak të një numri shumë të vogël të rasteve të hetuara dhe sanksioneve të vendosura.

Më 15 dhjetor 2021, Komisioni paraqiti një propozim për të përmirësuar efikasitetin e direktivës.

Marrëveshja ende duhet të konfirmohet nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë në procedurën formale të miratimit. /tesheshi.com/

 

 

You may also like