Ç`po ndodh me naftën? Kina shton blerjet nga Rusia, SHBA mbush rezervat me 2 mln fuçi

by admin
Spread the love

Sanksionet perëndimore dhe dënimi në shkallë të gjerë që i është bërë Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës, nuk e ka penguar aspak Kinën të shtojë importin e naftës ruse.

Rusia në fakt, rezulton furnizuesi kryesor i saj për muajin nëntor, pavarësisht rritjes së çmimit të lëndës djegëse të papërpunuar, ndërsa Arabia Saudite vazhdon uljen e furnizimeve. Të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave tregojnë se importet e Kinës nga Rusia, përfshirë furnizimet përmes tubacioneve dhe dërgesave me anije cisternë, arritën në 2.19 milionë fuçi në ditë, thotë VOA, një rritje kjo me 9%.

Ndërsa eksportet e naftës së papërpunuar nga Arabia Saudite, e cila i ka shtuar cmimet për rafineritë aziatike, llogariten tani në 1.61 milionë fuçi në ditë, rreth 0.2% më pak se një vit më parë. Nafta e papërpunuar ruse, ndaj së cilës Perëndimi ka vënë sanksione, vazhdoi të tërheqë blerës në nëntor ndërsa Kina konkurron me Indinë. Shtatë vendet më të industrializuara të botës po përpiqen të ruajnë efektshmërinë e kufirit të naftës ruse me 60 dollarë për fuçi ndërsa shumëfishohen alternativat e transportit dhe sigurimeve.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara blenë 2.1 milionë fuçi naftë bruto, sasi kjo që sipas Departamentit amerikan i Energjisë, do të ndihmojë për rimbushjen e Rezervës Strategjike të Naftës pas shitjes më të madhe në histori vitin e kaluar. Vitin e kaluar administrata e Presidentit Joe Biden bëri një shitje rekord prej 180 milionë fuçi nga rezerva strategjike për të ndihmuar në stabilizimin e çmimeve të naftës pasi Rusia, një eksportues i madh i naftës së papërpunuar, sulmoi Ukrainën.


Top Channel

You may also like