Charles III, fjalimi i parë si Mbret: Si Elizabeth, do të jem në shërbimin tuaj deri në fund te jetës sime

by admin
Spread the love

Pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, Mbretëria e Bashkuar tashmë ka në fron një Mbret dhe ai është Charles III. Pasditen e sotme, ai ka mbajtur fjalën e parë, një mesazh drejtuar popullit, ku zotohet të shërbejë me devotshmëri dhe se do të ndjekë rrugën e mbretëreshës Elizabeth.

“Ju drejtohem sot me një dhimbje të thellë. Gjatë gjithë jetës së saj, Shkëlqesia e Saj, Mbretëresha, nëna ime e dashur, ishte një frymëzim dhe shembull për mua dhe për të gjithë familjen time. Ne i detyrohemi asaj borxhin më të sinqertë që çdo familje mund t’i ketë nënës, për dashurinë, afeksionin, udhëzimin dhe shembullin e saj. Ajo e Mbretëreshës Elizabeth ishte një jetë e jetuar mirë, me premtime të mbajtura. Vdekja e saj sjell një pikëllim të thellë për ne. Këtë premtim për shërbimin e përjetshëm jua rinovoj sot të gjithëve”, tha Charles III.

“Unë i bëj homazhe kujtimit të nënës sime dhe e nderoj jetën e saj të shërbimit. E di që vdekja e saj sjell pikëllim të madh për shumë prej jush. Dhe unë e ndaj atë ndjenjë të humbjes së pamasë me ju të gjithë. Përkushtimi i saj si sovrane nuk u lëkund kurrë, në kohë ndryshimi dhe përparimi, në kohë gëzimi dhe festimi, dhe nëpër kohë trishtimi dhe humbjeje. Siç bëri vetë Mbretëresha me një përkushtim të tillë të palëkundur, edhe unë tani zotohem solemnisht gjatë gjithë kohës së mbetur që Zoti më jep, të mbaj parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë. Kudo që të jetoni në Mbretërinë e Bashkuar ose në sferat dhe territoret anembanë botës dhe çfarëdo qoftë prejardhja dhe bindjet tuaja, unë do të përpiqem t’ju shërbej me besnikëri, respekt dhe dashuri, siç kam bërë gjatë gjithë jetës sime”, shtoi Mbreti i ri.

Në fund të fjalës Mbreti Charles III kishte edhe një mesazh për nënën e tij të ndjerë.

“Dhe për mamanë time të dashur, ndërkohë që nisesh në rrugën e jashtëzakonshme për t’u bashkuar me tim atë, dua thjesht të të them këtë: faleminderit.

Faleminderit për dashurinë tënde, dhe devotshmërinë ndaj familjes tonë dhe familjes së kombeve që u ke shërbyer me zell gjatë të gjithë këtyre viteve”.

You may also like