Çdo qytetar mund të jetë një diplomat – Shqip

by admin
Spread the love

Është lansuar platforma “KosovaDiplo365”, një nismë e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacionit Ipko, raporton Shqip.

Platforma “KosovaDiplo365”, synon që të ngrit prezencën digjitale të tregimeve të sukseseve dhe arritjeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nëpër botë, dhe njëkohësisht të shërbejë si hapësirë e ndërveprimit si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.

Përmes kësaj platforme synohet që të fuqizohet diplomacia publike e Kosovës përmes zërit të qytetarëve.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se si qeveri besojnë fuqishëm në rolin që çdo qytetar mund të jetë si një diplomat.

“Si qeveri ne besojmë fuqishëm në rolin që çdo qytetar mund të jetë si një diplomat. Qytetarët tanë janë burimi më i çmueshëm i Republikës sonë dhe luajnë një rol jetik në transmetimin e kulturës, identitetit, trashëgimisë, historisë dhe të gjitha vlerave dhe progresit të vendit e të kombit tonë. Janë pikërisht qytetarët tanë ata që mundësojnë forcimin e lidhjes sonë me botën por dhe njohjen e shtetit tonë për historinë që e bartë ajo. Ne e kemi pasur mërgatën tonë e cila ka luajtur një rol të pa zëvendësueshëm edhe për çlirimin edhe për pavarësinë. Jo më kot thuhet se Kosova kishte ambasada para se të kishte shtet, kjo është mërgata jonë. Prioritet i qeverisë është krijimi i një mjedisi ku qytetarët tanë kanë mundësi që të lidhen me botën përmes sferave të ndryshme. Është një nismë për fuqizimin e diplomacisë qytetare. Ne po formësojmë lidhjen e Kosovës me botën përmes zërave më të fuqishëm të saj, përmes qytetarëve tanë brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë ai.

Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se kjo platformë do të përmirësojë imazhin e Kosovë jashtë vendit.

“Është një platformë që mundëson një angazhim të qytetarëve diplomat në formësimin e imazhin e Kosovës në lidhjen e saj me botën. Si institucion për herë të parë në historinë e Kosovës kemi krijuar departament të veqantë që trajton diplomacinë qytetare. Qytetarët tanë janë ata që promovojnë lidhjet tona me botën nëpër sfera të ndryshme përmes diplomacisë njerëz me njerëz”, ka thënë ajo.

Kushtrim Xhakli, bashkë ideator i Platformës nga Fondacioni Ipko, ka bërë prezantimin e Platformës “KosovaDiplo365”, për të cilën tha se kjo do t’u mundësojë qytetarëve që të tregojnë narrativën e shtetit dhe të kontribuojnë në dokumentimin e historisë.

You may also like