Ca fjalë për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore sot në Prishtinë

by admin
Spread the love
Besnik Krasniqi

Blerta është e palëvizshme dhe ka qenë viktimë e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Pra, e njërit prej institucioneve më kriminale që ka Kosova.
Ajo mbeti e palëvizshme në një aksident, por mjeku i Institutit, që për një kohë ka qenë edhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë, në raport shkroi se ajo pësoi “lëndim të lehtë” trupor. Mbi këtë raport, një gjyqtar e dënoi veç me 200 euro gjobë shoferin që e shkaktoi aksidentin.
Superekspertiza konstatoi më vonë se bëhej fjalë “për lëndim të rëndë”. Aq të rëndë sa Blerta më të mos mund të ecte në këmbët e saj.
Pas superekspertizës, u ngrit aktakuzë ndaj mjekut që lëshoi raport të rremë për vajzën dhe ndaj gjyqtarit që, duke u bazuar në atë raport, s’e çoi në burg shoferin. Aktakuza kundër këtyre dyve shpejt u hodh poshtë, nën arsyetimin se s’mund të vërtetohej se e kanë bërë këtë qëllimshëm, apo kanë përfituar diçka. Pra, kaq e padrejtë është drejtësia jonë.
Blerta s’është viktima e vetme. Viktimat më të mëdha janë të vrarët. Auditori ka gjetur në Institut rreth 450 raporte të pakryera të autopsisë, shumica për vrasje. Në një shkresë të disa punonjësve të Institutit thuhet se shumë nga këto raste janë zvarritur qëllimisht, në mënyrë që të mos marrin epilog, sepse nga epilogu pastaj varet vendimi i gjykatës për kriminelët, në favor të të cilëve njerëz në Institut punojnë.
E njëjta ka ndodhur edhe me më shumë se 100 raporte të ekzaminimit klinik, kryesisht për gra që i janë nënshtruar dhunës fizike e seksuale.
Në shumë raste, mostrat janë degraduar ose shkatërruar tërësisht, me qëllim që kriminelët jashtë Institutit të amnistohen e ata brenda të pasurohen.
Në një letër të sindikalistëve të Institutit është alarmuar për “tuxharllëk me raste”. Ka kohë që letra ka shkuar në adresë të institucioneve më të larta shtetërore. Fatkeqësisht, nuk janë parë veprime.
Prandaj, sot kriminelët jashtë e brenda Institutit, kanë arsye të festojnë. T’i gëzohen flakëve e tymit. Sepse, po bëhen shkrum e hi edhe ato pak dëshmi kundër tyre.

Nga: Besnik Krasniqi

You may also like