Burri bie për vdekje nga balloni 600m në ajër, gjatë fluturimit në agim (fotot)

by admin
Spread the love

Një burrë ka rënë në mënyrë të pashpjegueshme nga një ballon me ajër të nxehtë në një zonë rezidenciale në Australi.

Balloni ishte ngritur mëngjesin e sotëm herët nga qyteti i dytë më i madh i Australisë, Melbourne.

Viktima kishte qëndruar për 30 minuta në mjet para se të binte nga koshi i ballonit rreth orës lokale 7.30 njoftonin mediat vendase.

Trupi i tij u gjet në rrugën Albert Street, dhe policia u detyrua të mbyllte qarkullimin e mjeteve.

Viktima besohet se kishte rënë nga rreth 600 metra lartësi dhe asnjë paralajmërim nuk i ishte dhënë pilotit, sipas rrjetit Herald Sun.

Policia rrethoi vendin e rënies me një tendë blu teksa trupi i viktimës raportohet se është larguar për në morg.

Balloni ishte ulur më pas pa probleme disa km larg trupit të burrit, ndërsa disa linja elektrike ishin këputur në rrugën ku ndodhi rënia.

Një nga vendaset tha se kishte dëgjuar zhurmën e fortë të rënies: “Ishte një zhurmë sikur diçka e madhe ra mbi shtëpi, ne dolëm pasi dëgjuam sirenat e ambulancës”, tha një rezidente.

Policia tha se nuk po e trajtonte vdekjen si të dyshimtë por do të merren në pyetje piloti, dëshmitarë dhe ata që ndodheshin në ballon.

Nuk dihet me saktësi sesa persona të tjerë ishin në ballonin me ajër të nxehtë në kohën kur burri ra për vdekje.

Pasagjerët e një tjetër balloni turistik tha se 15 minuta pasi ishin ngritur morën në radio njoftimin e emergjencës për dikë që kishte rënë nga balloni.

Në një deklaratë të federatës vendase të ballonëve thuhej se koshat e mjeteve me ajër janë krijuar për të parandaluar rënie aksidentale.

‘Pasagjerët dhe piloti normalisht janë traumatizuar nga tragjedia dhe po organizojmë mbështetje psikologjike për të prekurit”, shtohej në deklaratë.

Hetimet për ngjarjen vijojnë.