BRUKSEL – NATO-ja dhe BE-ja zotohen të zgjerojnë bashkëpunimin mes luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 10 janar /ATSH-DPA/- Të nxitur nga lufta në Ukrainë, zyrtarët e lartë të NATO-s dhe BE-së u zotuan të zgjerojnë bashkëpunimin midis dy institucioneve nëpërmjet një deklarate të përbashkët të nënshkruar sot, në Bruksel.

“Bashkëpunimi është më i rëndësishëm se kurrë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas nënshkrimit të deklaratës në selinë e aleancës së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë partneritetin midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe duhet të forcojmë më tej mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg kujtoi një takim midis tre zyrtarëve disa orë pas pushtimit të Ukrainës, shkurtin e kaluar duke theksuar marrëdhëniet e tyre të ngushta.

“Presidenti rus, Vladimir Putin donte të merrte Ukrainën brenda pak ditësh dhe të na përçante. Në të dyja pikat, duket qartë që ka dështuar”, tha ai.

Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunimin NATO-BE është një përpjekje e re për të çuar përpara bashkëpunimin midis institucioneve, dhe rritur përpjekjet bashkëpunuese për të mbrojtur infrastrukturën e rëndësishme.

“NATO-ja dhe BE-ja synojnë gjithashtu të bashkëpunojnë në të ardhmen për implikimet e sigurisë, të ndryshimeve klimatike, hapësirës, ndërhyrjeve dhe manipulimit të informacionit”, tha Stoltenberg.

Deklarata gjithashtu përmend Kinën në mënyrë eksplicite për herë të parë.

“Vetëbesimi dhe politikat në rritje të Kinës paraqesin sfida që ne duhet t’i adresojmë”, tha Stoltenberg.

Zgjerimi thelbësor i bashkëpunimit formal midis dy institucioneve është sfidues pasi Turqia, një anëtare e NATO-s nuk e njeh Republikën e Qipros si anëtare të BE-së.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like