BRUKSEL – Liberalët dhe të gjelbrit në PE kërkojnë hetime për ndikimin rus

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 29 mars /ATSH-AFP/ – Udhëheqësit e liberalëve dhe të gjelbërve në Parlamentin Evropian bënë thirrje për hapjen e një hetimi të brendshëm pasi shërbimet sekrete identifikuan një rrjet ndikimi të financuar nga Moska duke ringjallur frikën e ndërhyrjes në institucion, më shumë se një vit pas “Qatargate”.

Praga njoftoi se shërbimet sekrete çeke kishin ekspozuar një rrjet të financuar nga Moska që përhapte propagandë pro ruse për Ukrainën përmes faqes së internetit të ”Zërit të Evropës” duke e shtrirë ndikimin e tij “deri në Parlamentin Evropian”, por pa detaje të mëtejshme.

”Si pjesë e këtij rrjeti Rusia u është afruar eurodeputetëve, por ka paguar edhe për të promovuar propagandën ruse, këta janë deputetë që marrin para”, shpjegoi kryeministri belg Alexander De Croo para Dhomës së Përfaqësuesve.

Valérie Hayer, pro Macronit, presidente e ”Renew Europe” (centristët dhe liberalët), i shkroi presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, për të kërkuar ”hapjen e një hetimi të brendshëm të menjëhershëm dhe transparent, në bashkëpunim me autoritetet kombëtare”.

”Dhjetë javë para zgjedhjeve evropiane, votuesit duhet të dinë nëse deputetët apo kandidatët punojnë me mbështetjen e Rusisë apo përfaqësuesve të saj, demokracia në Evropë duhet të mbrohet me çdo kusht nga këto kërcënime”, theksoi Hayer.

Të gjelbrit po bëjnë gjithashtu thirrje për “një hetim të shpejtë dhe të plotë në shkallë evropiane”.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë mbi strukturën e demokracisë sonë, politikanët që kanë marrë para duhet të ndëshkohen ashpër, politikisht dhe ligjërisht”, këmbënguli Terry Reintke, një nga dy drejtuesit e listave të gjelbra në zgjedhjet e qershorit./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like