BRUKSEL – Grupi i 15 vendeve të BE-së thirrje për kufizimin e çmimit të gazit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 28 shtator /ATSH-DPA/ – Pesëmbëdhjetë vende në Bashkimin Evropian kanë bërë thirrje për vendosjen e një kufiri të çmimit të gazit në mbarë BE-në, si një masë urgjente kundër çmimeve të larta të energjisë përmes një letre dërguar komisionerit për Energjinë, Kadri Simson.

Letra bën thirrje për propozimin e menjëhershëm të një kufiri maksimal të çmimit të gazit, i cili duhet të zbatohet për dërgesat nga jashtë, si importet nga Rusia dhe vende të tjera por edhe për transaksionet brenda BE-së.

Vendet e BE-së i kërkuan komisionit të propozonte një kufi të çmimit të gazit në fillim të këtij muaji, por masat e paraqitura deri më tani u përqendruan vetëm në taksat e papritura dhe uljen e kërkesës.

Vendosja e një kufiri të çmimit të gazit konsiderohet një ndërhyrje edhe më drastike në treg, duke shkaktuar shqetësime se kjo mund të çojë në furnizimin e vendeve të treta me më pak ose aspak gaz në vendet e BE-së dhe shitjen e tij në vende të tjera.

Në letrën e tyre, 15 vendet theksojnë se një vendosja e një kufiri të çmimit të gazit mund të frenojë presionet inflacioniste.

“Plani mund të projektohet në mënyrë të tillë që të sigurohet furnizimi dhe dërgesa e lirë e gazit brenda Evropës, duke arritur njëkohësisht objektivin e përbashkët për të reduktuar kërkesën për gaz,” thuhet në letër.

Gjermania, në veçanti është shprehur kundër vendosjes së një kufiri të çmimeve pasi nuk ka marrë më gaz nga Rusia dhe ka blerë furnizime më të shtrenjta nga vende të tjera si Norvegjia.

Letra u nënshkruar nga Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja.

Ministrat e Energjisë së BE-së do të takohen të premten në Bruksel për të vendosur rreth masave të mundshme emergjente.//a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like