BRUKSEL – BE platformë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve ukrainas

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 10 tetor /ATSH-ANSA/-Komisioni Evropian njoftoi sot një platformë pilot për të ndihmuar refugjatët ukrainas të gjejnë punë në vendet anëtare.

Njoftimi është bërë nga komisionerët e BE-së për Punët e Brendshme dhe Punës, Ylva Johansson dhe Nicolas Schmit. Baza e të dhënave, e mbështetur nga rrjeti i bashkëpunimit “EURES” i shërbimeve publike të punësimit, do të mbledhë të dhëna për kompanitë që kërkojnë staf si dhe refugjatët që kërkojnë punë.

“Talent Pool” shënon një tjetër hap konkret në përpjekjen tonë për të integruar banorët e zhvendosur nga Ukraina në tregun e punës të BE-së”, tha Schmit.

Platforma “EU Talent Pool Pilot” është e disponueshme në internet në gjuhen angleze, ukrainase dhe ruse.

“Shpresojmë që projekti pilot që po njoftojmë sot do të përshpejtojë procesin e hyrjes në botën e punës në BE, siç ndodhi këtu në Belgjikë. Pesë shtete anëtare tashmë i janë bashkuar platformës, përfshirë Poloninë, ku ka mbërritur dhe numri më i madh i refugjatëve”, theksoi komisioneri i BE-së për Punën, Nicolas Schmit.

Në bazë të të dhënave të pjesshme të disponueshme, komisioneri Schmit raportoi se numri i ukrainasve nën mbrojtjen e përkohshme që hyjnë në tregun e punës po rritej gradualisht.

Një sondazh i shteteve anëtare i kryer gjatë verës, tregoi se mbi 370 mijë persona janë regjistruar si të punësuar në 15 vende anëtare, dhe sipas të dhënave të “Eurostat” në muajin gusht, 250 mijë persona janë regjistruar zyrtarisht si në kërkim të punës, në 18 shtete anëtare.

“Askush nga ne nuk do të donte të ishte në këtë situatë, por tani është detyra e të gjithëve që të ofrojmë sa më shumë mbështetje. Ne e dimë nga përvoja se mësimi i gjuhës dhe gjetja e një pune është mënyra më e mirë për t’u integruar në një vend i ri”, shtoi Schmit.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like