Borrelli i ka thënë Kurtit se masat mund të hiqen nëse takimi përfundon me sukses – Shqip

by admin
Spread the love

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik, mund të hiqen ose shtohen, por kjo varet nga rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë një burim në Bruksel, që shtoi se për çështjen e masave, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë rundit të fundit të dialogut më 14 shtator.

Sipas burimit, Borrell i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim. Por, rundi i dialogut dështoi pa një ujdi, pasi siç tha blloku evropian, Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.

Zyrtari i BE-së i tha REL-it se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Pas takimit në kuadër të dialogut më 14 shtator, nga deklarata e përfaqësuesit të lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ishte e dukshme se lehtësuesit e këtij procesi nuk mendojnë se janë përmbushur kushtet për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Kjo pasi Borrell deklaroi se masat që i ka ndërmarrë Kosova për shtensionimin e situatës në veri, ndonëse mirëpriten nga blloku, nuk mjaftojnë dhe nuk janë në përputhje me kërkesat dhe pritjet e BE-së.

 

You may also like