Bombardimi më i rëndë nga nisja e luftës – Shqip

by admin
Spread the love

Izraeli ka kryer sulme ajrore masive në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, që nga banorët është konsideruar si bombardimi më i rëndë që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Banorët e zonës lindore të Gazës ishin njoftuar nga ushtria izraelite që të largoheshin drejt jugut. Por Izraeli beson se disa liderë të Hamasit janë ende në qytet, ku shumë civilë janë strehuar pasi u larguan nga zonat veriore.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, njofton se janë vrarë të paktën 193 persona nga vala e fundit e sulmeve izraelite.

Numri i personave të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 Tetor, ka shkuar në 15,200 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Të premten, Izraeli rifilloi sulmet ajrore kundër Hamasit në Gaza, pas përfundimit të armëpushimit.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur më shumë se 400 objektiva terroriste të Hamasit.

Edhe Izraeli është sulmuar me raketa nga ana e Hamasit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një konferencë shtypi mbrëmjen e të shtunës, u zotua të vazhdojë operacionin ushtarak deri sa të arrihet qëllimi për eliminimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.

“Një luftë e ashpër është përpara nesh”, tha Netanyahu.

/tvklan.al

You may also like