BM – ”Telegraph”: Transformimi i Putinit në Stalinin e ri tashmë u krye

by admin
Spread the love

LONDËR, 17 mars /ATSH/ – Vladimir Putin do të zgjidhet sot president i Rusisë. Megjithëse rezultati është një përfundim i paramenduar, ai shpreson se do t’i dëshmojë botës se pushtimi i tij i përgjakshëm i Ukrainës është i miratuar nga populli rus, sipas britanikes ”The Telegraph”.

Duke qenë se ka udhëhequr Rusinë për 24 vjet, ai është gati të zgjasë kontrollin e tij në pushtet edhe për gjashtë vjet të tjera, pas zgjedhjeve tre-ditore në të cilat votuesit kanë në fakt vetëm një zgjedhje.

Biseda për “popullaritetin e Putinit” në Perëndim është më e keqe se e pakuptimtë: ajo i jep legjitimitet një shakaje cinike që tallet me demokracinë.

Kushtetuta, e cila lejon vetëm dy mandate të njëpasnjëshme presidenciale, tashmë është ndryshuar për të lejuar Putinin të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.

Në atë kohë, ai do të ishte 83 vjeç dhe do të kishte kaluar Katerinën e Madhe, e cila mbretëroi për 34 vjet (1762-1796) si kreu i shtetit më jetëgjatë i Rusisë. Tashmë, epoka e Putinit ka përkuar me pesë presidentë amerikanë dhe shtatë kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar.

Krahasimi më i mirë është me Josif Stalinin, i cili dominoi Bashkimin Sovjetik që nga vdekja e Leninit në 1924 deri në vdekjen e tij në 1953.

Por Stalini kishte autoritetin e vetëm pasi eliminoi rivalët e tij në Byronë Politike; diktatura e tij filloi realisht në vitin 1929 dhe zgjati 24 vjet.

Ndoshta, pra, Putini ka barazuar tashmë rekordin e Stalinit si një autokrat. Por ai mori një pushim nga presidenca nga viti 2008 në 2012, duke shërbyer një mandat si kryeministër, ndërsa bashkëpunëtori i tij besnik Dmitry Medvedev e mbajti të ngrohtë vendin në Kremlin për të.

Në një çerek shekulli, Putini nuk ka debatuar kurrë me një kandidat të vërtetë opozitar ose nuk ka lejuar zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare.

Kandidati i vetëm serioz kundër luftës, Boris Nadezhdin, u përjashtua muajin e kaluar nga komisioni zgjedhor i kontrolluar nga Kremlini, pasi fushata e tij mori një vrull të papritur.

Kreu i komisionit, Ella Pamfilova, e ka hedhur poshtë “demokracinë e stilit perëndimor” si inferiore ndaj versionit të Rusisë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like