Blinken: Izraeli të përqendrohet tek operacionet që kanë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara presin që Izraeli të ulë intensitetin e operacioneve të tij ushtarake në Gaza, duke u përqendruar më shumë tek operacionet që kanë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit dhe infrastrukturën e tij, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Duke folur në një konferencë shtypi të fundvitit, Blinken tha se sapo të ndodhë ky ndryshim, dëmet ndaj popullatës civile duhet të ulen ndjeshëm. Ai ripërsëriti thirrjen që Izraeli t’i kushtojë vëmendje detyrimeve për të minimizuar viktimat civile ndërsa vazhdon të ndjekë objektivin për të shkatërruar Hamasin.

“Është e qartë se konflikti duhet të kalojë në një fazë me intensitet më të ulët“, u tha Blinken gazetarëve. “Ne presim të shohim dhe duam të shohim një zhvendosje drejt operacioneve më të fokusuara, me një numër më të vogël forcash, që janë realisht të përqendruara tek udhëheqësit e Hamasit, ndaj rrjetit të tij të tuneleve dhe disa aspekteve të tjera kritike”, tha ai.

“Ndërsa një gjë e tillë ndodh, mendoj se do të shihni dhe ulje të ndjeshme të dëmit të shkaktuar ndaj civilëve”.

Izraeli është përballur me trysni në rritje nga aleatët e tij perëndimorë për të frenuar sulmin ushtarak në Gaza, i cili ka shkatërruar pjesën më të madhe të rajonit me një popullatë të dendur. Operacionet nisën si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, gjatë të cilit grupi militant vrau 1200 persona si dhe mori peng rreth 240 të tjerë.

Uashingtoni, aleati më i afërt i Izraelit, ka kërkuar publikisht gjatë javës së kaluar që ky vend të ulë intensitetin e operacionit zvogëlojë gjithëpërfshirës në një fushatë që ka në shënjestër udhëheqësit e Hamasit si dhe t’i japë fund atyre që Presidenti amerikan Joe Biden, i quajti “bombardime pa dallim”.

“Ne vazhdojmë të besojmë se Izraeli nuk ka nevojë të zgjedhë mes eliminimit të rrezikut që paraqet Hamasi dhe minimizimit të numrit të civilëve në Gaza”, tha Blinken. “Ai ka një detyrim t’i bëjë të dyja dhe ka një interes strategjik t’i bëjë të dyja”.

Por ai shtoi se ishte gjithashtu i befasuar nga ajo që ai e cilësoi si mungesë e kërkesave nga vendet e tjera që Hamasi të dorëzojë armët dhe të dorëzohet dhe ai bëri thirrje për trysni ndaj grupit për të ndërmarrë këto hapa e për t’i dhënë fund luftës.

“Ne dëgjojmë shumë vende që kërkojnë t’i jepet fund konfliktit, një gjë që e duam të gjithë, por praktikisht nuk dëgjoj asnjë t’i kërkojë Hamasit, që të mos vazhdojë të fshihet pas popullatës civilëve, të hedhë armët, e të dorëzohet”, tha ai.

“Lufta do të përfundonte që nesër nëse Hamasi e bën një gjë të tillë”, tha Blinken.


Top Channel

You may also like