BERLIN – Korber: Shumica e gjermanëve e kundërshtojnë rolin udhëheqës ushtarak në Evropë

by admin
Spread the love

BERLIN, 28 nentor /ATSH-AA/ – Sipas rezultateve të një sondazhi të ri, shumica e gjermanëve nuk duan që vendi i tyre të marrë një rol udhëheqës ushtarak në Evropë.

Sipas sondazhit, të kryer nga Fondacioni Korber, më shumë se gjysma e gjermanëve apo 54 për qind e tyre thanë se nuk duan që qeveria e tyre të ndjekë një politikë të jashtme më aktive, ndërsa 71 për qind thanë se janë kundër ambicieve të qeverisë për të marrë një rol udhëheqës për mbrojtjen e Evropës.

Sondazhi shqyrtoi qëndrimet e qytetarëve gjermanë për çështjet më urgjente të politikës së jashtme.

Sipas sondazhit, shumica e gjermanëve janë kundër një politike të jashtme më të militarizuar, por mbështesin përpjekjet diplomatike për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare.

Më shumë se tre e katërta thanë se angazhimet ndërkombëtare të Gjermanisë duhet të jenë diplomatike, ndërsa vetëm 12 për qind thanë se mbështesin përfshirjen e forcave ushtarake gjermane në konfliktet e huaja.

Sondazhi po ashtu tregoi se 57 për qind e gjermanëve besojnë se ndikimi ndërkombëtar i Gjermanisë është zbehur në të vërtetë gjatë dy viteve të fundit, respektivisht që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në mars të vitit 2022.

Sondazhi u krye në datat 06-12 shtator në bashkëpunim me institutin kërkimor Kantar Public.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like