BERLIN – Ekspertët: Rrezik i konsiderueshëm recesioni për shkak të luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love

BERLIN, 30 mars /ATSH-DPA/- Këshilltarët ekonomikë të qeverisë gjermane kanë parashikuar një rrezik “të konsiderueshëm” recesioni, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas Këshillit të Ekspertëve Ekonomikë produkti i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë pritet të rritet me 1.8% në 2022 dhe me 3.6% në 2023, por perspektiva mbetet “subjekt i një pasigurie shumë të lartë”.

“Për shkak të çmimit të lartë të energjisë, inflacioni pritet të rritet në 6.1% këtë vit dhe të ulet në 3.4% vitin e ardhshëm”, tha paneli i ekspertëve.

“Lufta ka përkeqësuar ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit që tashmë ishin të tendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit”, tha anëtari i këshillit Achim Truger.

“Në të njëjtën kohë, rritja e çmimit të gazit natyror dhe naftës bruto po prek ndjeshëm kompanitë dhe konsumin privat”, tha ai.

“Gjermania është shumë e varur nga furnizimet ruse të energjisë. Një pezullim i këtyre furnizimeve do të shkaktonte recesion në ekonominë gjermane, me norma inflacioni dukshëm më të larta”, tha anëtarja e këshillit Monika Schnitzer.

“Rreziku i një recesioni mbetet “i konsiderueshëm”, tha anëtari i këshillit Volker Wieland, në Berlin. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like