BERLIN – Baerbock udhëton në Izrael, ndërsa konflikti trazon rajonin

by admin
Spread the love

BERLIN, 16 prill /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka planifikuar të udhëtojë sot në Izrael pas sulmit të madh iranian në vend.

“Askush nuk duhet t’i shtojë benzinë zjarrit tani”, tha ajo në një takim me homologun e saj jordanez, Ayman al-Safadi në Berlin.

“Kjo vlen mbi të gjitha për Iranin dhe përfaqësuesit e tij në rajon, si Hezbollahu në Liban ose Houthi në Jemen”, tha Baerbock.

Në lidhje me Izraelin, ajo tha se kushdo që dyshonte se vendi mund të mbrohej nga sulmet masive me raketa, e kishte llogaritur gabimisht.

“Mbrojtja e Izraelit është e fortë dhe e suksesshme. Dhe aleatët e Izraelit qëndrojnë fort pranë tij, të gatshëm për të vepruar kur të jetë e rëndësishme”, tha Baerbock.

“Të gjithë duhet të punojnë së bashku për të kontribuar në shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në rajon”, shtoi ajo.

“Ne nuk duam që Jordania të rrezikohet më. Ky është një mesazh i qartë që po ua dërgojmë të gjithëve” – Iranit dhe Izraelit. Jordania shtrihet midis dy vendeve”, tha Al-Safadi.

Frika për një luftë në Lindjen e Mesme po rritet pas sulmit të madh iranian të shtunën, në të cilin qindra dronë dhe raketa u hodhën drejt Izraelit. Sulmi ajror u zmbraps nga ushtria izraelite.

Irani e paraqiti sulmin si një sulm hakmarrës për vrasjen e oficerëve të lartë iranianë nga Izraeli në Siri.

Dy këshilltarë iranianë dhe pesë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thuhet se janë vrarë në sulmin në ndërtesën e konsullatës në Damask më 1 prill.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like