Sukseset e klubit Fituesi të Ferizajt, lidhen me punën në vazhdimësi dhe të koordinuar mirë tani e shumë e vite.
Karateistët e klubit ferizajas, javën që e lamë pas, shënuan rezultate të shkëlqyeshme në garën “Kupa e Kampionëve” në Podgoricë.
Djelmoshat e këtij klubit u kthyen me tetë medalje, tri të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta.
Kryetrajneri i klubit Fituesi, Bajram Bajrami, tha se po bëhet një punë e madhe dhe si rezultat i kësaj po arrijnë rezultatet e merituara!
Të fitosh tetë medalje në një garë siç është në Podgoricë, është fryt i punës së të gjithëve në klub.
Synimet e këtij klubit janë që të arrijnë sukseset edhe më të mëdha në garat e ndryshme ndërkombëtare.
“Klubi i Karatesë Fituesi mori pjesë vetëm me 9 garues nga të cilët arriti të fitoj 8 medalje e 3 të arta, padyshim që është një sukses i madh pasi që vetëm tri klube arritën që të sigurojnë medalje të arta individuale, kjo dëshmon se gara ishte shumë e fortë me garues mjaft të ashpër!”, tha Bajrami për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Aspiratat e klubit janë edhe më të mëdha, këtë e thotë edhe kryetrajneri:
“Suksesi i KK Fituesit e dëshmon qartë që qëllimi kryesor është përgatitja e gjeneratave të reja për Kampionatet Evropiane e Botërore.
Viti 2019 ishte një ndër vitet më të suksesshme të këtij klubi, mirëpo këtë vite jemi më të kënaqur pasi që po kaliten edhe garues të tjerë të cilët e dëshmuan vetën në këtë garë ku ishin pjesëmarrës i gjithë Ballkani”.
Bajrami shprehet se po përgatiten për garën e sezonit të dytë të Kampionatit të Kosovës.
“Tani po përgatitemi për garat e sezonit të dyte ku për qëllim kemi bashkëpunimin e me tutje me ‘Doni Fruits’ të cilët po na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme, pjesëmarrjen në gara të nivelit evropian e botëror”, përfundon Bajrami.