ATHINE – POEDN: Të paktën 10 000 punonjës shëndetësorë janë larguar nga vendi në 2-3 vitet e fundit

by admin
Spread the love

ATHINE, 16 gusht /ATSH-AA/ – Mijëra mjekë dhe profesionistë shëndetësorë në Greqi janë larguar nga vendi për shkak të pagave dhe kushteve të pamjaftueshme të punës, tha sot një udhëheqës sindikatash, duke i kërkuar qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të ndalur trendin që dobëson sektorin e shëndetit publik.

Michalis Giannakos, president i Federatës së Punonjësve të Spitaleve Publike (POEDN), tha për transmetuesin lokal “MEGATV” se 10.000 profesionistë shëndetësorë janë larguar nga sistemi shëndetësor publik i vendit në dy vitet e gjysmë të fundit.

Kushtet më të vështira të punës për mjekët për shkak të mungesës së stafit dhe pagave të pamjaftueshme, Giannakos i përmendi si arsyet kryesore për largimin nga sektori i shëndetësisë publike dhe lëvizjen jashtë vendit ku paguhen shumë më tepër.

Si pasojë, tha ai, shumë spitale janë kthyer në qendra referimi, të paaftë për të trajtuar as raste të thjeshta pacientësh.

“Nëse kushtet e tyre nuk përmirësohen ndjeshëm dhe menjëherë, ky trend do të vazhdojë”, paralajmëroi ai.

Po ashtu, Theodoros Vasilakopoulos, ekspert i lartë i kujdesit intensiv në Universitetin e Athinës, i tha transmetuesit se situata e sistemit shëndetësor në ishuj, në veçanti, është shqetësuese për shkak të fluksit të turistëve dhe mungesës së stafit shëndetësor.

“Shumë mjekë shmangin punën në ishuj sepse nuk mund të gjejnë strehim”, tha ai.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like