Arrestimi i ish-kryetarit të komunës Qendër, ja sa miliona u keqpërdorën për “Shkupi 2014”

by admin
Spread the love

Për shtatë persona është propozuar paraburgim, janë kërkuar kontrolle, janë ngrirë llogaritë bankare dhe aksione në kompani, procedura për konfiskimin e pasurisë për rastin e ndërtimit të përmendoreve dhe monumenteve nga “Shkupi 2014”.

Këtë e bëri të ditur sot prokurori Ljubomir Llape nga Prokuroria Publike për Prokurorinë. të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në konferencën për shtyp ku e prezantoi çështjen me kodin “Feniks”, prokurori Llape tha se për hetimin kanë kërkuar ndihmë juridike nga pesë vende të huaja, ndërsa hetimi ka të bëjë me 15 persona fizikë dhe 7 persona juridikë, mes të cilëve një shtetas italian dhe tre subjekte juridike italiane.

Sipas prokurit Llape për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve për projektin “Shkupi 2014”nuk ka asnjë dokument,asnjë projekt apo program qeveritar, ndërsa mes të dyshuarëve janë ish-kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri për financa, Zoran Stavreski, ish-ministri i kulturës, dhe më parë sekretarja shtetërore në Ministrinë e kulturës, Elizabeta Knçeska-Milevska, pastaj ish-kryetarët e Komunës Qendër, Violeta Alarova dhe Vladimir Todoroviq, si dhe persona tjerë.

Ai tha se disa nga të dyshuarit akuzohen edhe për pastrim parash, të cilët kanë formuar grup dhe përmes kompanive offshore kanë sjellë dhe tërhequr para nga veprat penale.

“Hetimi ka të bëjë vetëm me 11 monumente nga projekti “Shkupi 2014”, ndër ta është Luftëtari mbi kalë, pastaj monumentet e luanit në urën e Goce Dellçevit, përmendoret e Justinianit, Dame Gruevit, Nikolla Karevit, themeluesve të ASNOM-it. Ato monumente janë në pronësi të Komunës Qendër, edhe pse në esencë duhet të jenë në pronësi të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse janë monumente memoriale. “Kush do të kujdeset për ta në të ardhmen, pasi ata tani janë pjesë e një hetimi, është një çështje e brendshme”, tha Llape.

Prokurori duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari tha se rastet nuk janë të vjetruara, sepse për ta ka filluar hetimi dhe ka shpjeguar se këtë rast e ka trajtuar më herët Prokuroria Speciale Publike, ndërsa në të ka punuar që nga viti 2016.

Sipas hetimeve, të dyshuarit në mënyrë të kundërligjshme kanë transferuar para nga buxheti i Republikës së Maqedonisë dhe nga buxheti i Ministrisë së Kulturës në Komunën e Qendrës për investime kapitale mbi 3 miliardë denarë ose mbi 57 milionë euro.

Ai ka sqaruar se për ish-kryetarin e Qendrës, Vladimir Todoroviq, i cili është arrestuar mbrëmë vonë, nuk kanë kërkuar ngrirje të llogarive bankare dhe konfiskim të pasurisë dhe se nuk dyshohet për pastrim parash.

“Todoroviq dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga gjysma e dytë e vitit 2007 deri në vitin 2013 kur janë bërë blerje publike dhe janë paguar monumentet”, tha prokurori Lape.

You may also like