ANALIZA/ Ja si Barcelona gjeti formulën për të rilindur dhe qëndrimin tek objektivat

by admin
Spread the love

Në vetëm gjashtë javë, Barcelona ka kaluar nga lufta për të siguruar vendin e katërt në La Liga, në të dytin dhe ende në luftë për titull, në sigurimin e një vendi në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Gazeta “Mundo Deportivo” i ka bërë një analizë zhvillimeve në ekip që transformuan rrënjësisht paraqitjen e skuadrës në fushë.

EFEKTI “KSAVI” – Që kur trajneri nga Terrassa njoftoi largimin e tij në fund të sezonit pas humbjes kundër Vijareal më 27 janar (3-5), Barcelona ka regjistruar shtatë fitore dhe tri barazime, të cilat e kanë katapultuar ekipin nga vendi i katërt në të dytin në La Liga si dhe kanë siguruar kalimin në çerekfinalet e Champions League, ku do të përballen me PSG-në.

REVOLUCIONI I TË RINJVE – I detyruar nga kufizimet financiare të klubit, Ksavi është detyruar të vërë bast te të rinjtë dhe “banda” e të rinjve po i përgjigjet sfidës. Pau Kubarsi, 17 vjeç, është kthyer i padiskutueshëm në mbrojtje, duke fituar dhe ftesën e kombëtares spanjolle. Apelit i janë përgjigjur dhe Hektor Fort e Fermin Lopez, i cili numëron 6 gola të shënuar. Pa harruar këtu yllin 16-vjeçar, Lamine Jamal.

SOLIDITETI NË MBROJTJE – Barça kaloi më shumë se dy muaj pa Ter Shtegen në portë. Mungesa e gjermanit, bashkë me momentin e keq të skuadrës, e bënë skuadrën të zbuluar në mbrojtje. Që nga rikthimi i tij, skuadra ka pësuar vetëm gjashtë gola në tetë ndeshjet e fundit. Ai nuk pëson prej 403 minutash.

LEVANDOVSKI, VENDIMTAR – Polaku është bërë një pjesë themelore në ringjalljen e ekipit. Sulmuesi veteran ka shënuar shtatë gola që kur Ksavi njoftoi largimin e tij më 27 janar. Për më tepër, ai tashmë është lojtari që ka marrë më shumë pjesë në aksione të përfunduara me gol në La Liga: 20 (13 gola dhe 7 asistime), përpara Bellingam, 19 (16 gola dhe 3 asistime) dhe Dovbik, 19 (14 gola dhe 5 asistime).

EKIPI KOMPAKT – Pavarësisht dëmtimeve të lojtarëve të rëndësishëm si De Jong apo Pedri në javët e fundit, skuadra ka bërë një hap përpara. Kur të gjithë mendonin se Barça do të shembet në fazën vendimtare dhe përballë rivalëve të fortë, skuadra është përgjigjur në mënyrën më të mirë, duke treguar se grupi është mbi individët. Fryma e solidaritetit dhe sakrificës për të shkuar atje ku nuk mund të shkojë shoku i skuadrës është tani një vlerë në ekip, ku të gjithë vrapojnë në të njëjtin drejtim.

MË TË PËRGATITUR FIZIKISHT – Pas fitores kundër Atletikos së Madridit, Robert Levandovski zbuloi se një nga arsyet kyçe të momentit të mirë të skuadrës ishte se javët e fundit kanë ndryshuar stërvitjen, tani kanë vënë më shumë intensitet.

PANORAMASPORT.AL

You may also like