Analiza e Arrigo Sakit/ Interit i mungon presingu, Juvja e tërbuar për të fituar

by admin
Spread the love

Arrigo Saki ka dashur të bëjë një pasqyrë të fazës së parë, ku sipas ikonës së pankinave italiane dhe jo vetëm, do të jetë një duel i fortë deri në fund mes Interit dhe Juventusit për titullin kampion.

Madje, për trajnerin që bëri epokën madhështore me Milanin, zikaltrit duhet të korrigjojnë një aspekt të rëndësishëm për të mos rrezikuar, ndërsa bardhezinjtë ia kanë tejkaluar pritshmëritë: “Interi kryeson sepse kundrejt të tjerave dhe sidomos Juventusit ka një ide loje dhe mundohet që ta zhvillojë atë ndeshje pas ndeshjeje. Por ndërkohë i mungon diçka thelbësore, të bërit presing. Verona e vuri në vështirësi Interin të shtunën sepse dilte pa probleme nga mesfusha e saj, pa hasur në asnjë pengesë. Zikaltrit mbylleshin për të rinisur më pas aksionin mes hapësirave të ngushta, por unë dua të them: ‘Mos ndoshta është më mirë që të bësh një presing më ofensiv dhe të kërkosh ta rrëmbesh topin sa më pranë portës rivale?!’ Kjo, sepse kështu jo vetëm largon shumë probleme, por mbi të gjitha bëhesh dy herë më i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm. Tre mesfushorët e Interit shpesh janë në kohë vonesë kur i kërkohet që të ndërhyjnë dhe kështu kalohen lehtë. Prandaj, Inzagi bën mirë që ta korrigjojë këtë. Ndërkohë, Juventusi… I ka tejkaluar pritshmëritë e mia, por ndoshta edhe të vetat. Fakti që nuk luajnë kupat i ndihmon që të jenë të freskët, por të rrezikojnë edhe më pak dëmtime. Sigurisht, në aspektin e lojës lënë për të dëshiruar, por deri tani kanë treguar se dinë që të shfrytëzojnë në maksimum individualitetet e tyre dhe mbi të gjitha, janë të gatshëm të sakrifikohen për njëritjetrin në mënyrë të frikshme. Pastaj, në mbrojtje janë gati hermetikë, janë mahnitës. Nuk heqin dorë kurrë deri në sekondën e fundit, kanë një burim motivimi për të cilin Alegri meriton merita shumë të mëdha. Dhe jo vetëm për këtë, por edhe për besimin dhe menaxhimin e të rinjve që po bën. Ndaj mendoj se këto aspekte, pavarësisht lojës që çalon, mund të bëjnë diferencën për titullin kampion”, analizoi Saki.

PANORAMASPORT.AL

You may also like