Aktakuzë ndaj një mësuesi në Dragash, goditi tri nxënëse me rrip dhe i ofendoi gjatë orëve mësimore

by admin
Spread the love

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur
aktakuzë kundër të pandehurit D.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i
njëjti ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare
ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, dhe
“Hakmarrja” nga neni 388, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, me datë 13.05.2022 rreth
orës 10:20 minuta, në fshatin Blaq, Komuna e Dragashit, në ShFMU “Hilmi
Bahtijari”, i pandehuri/mësimdhënësi D.M., në cilësinë e personit zyrtar, duke
keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, i keqtrajton, frikëson dhe fyen
rëndë dinjitetin e personave tjerë – nxënëseve F.Z., S.Z., dhe E.H., në atë
mënyrë që i njëjti sapo hyn në klasë kërkon nga nxënësit që të nxjerrin librin
nga lënda e Matematikës dhe të lexojnë në heshtje mësimin e fundit, më pas
kërkon nga nxënësit të dalin te dërrasa e zezë dhe të përsërisin mësimin që
kishin lexuar, i pa kënaqur me përsëritjet e nxënësve, merr rripin e
pantallonave nga nxënësi R.I., me të cilin me forcë i godet nxënëset në duar,
duke i shkaktuar dhembje fizike, frikë dhe fyerje të rëndë të dinjitetit, të
cilat keqtrajtime tek tri të dëmtuarat rezultojnë me lëndime të lehta trupore.
Me këto veprime, i pandehuri D.M., ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë
ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë
trupor”., thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu, i pandehuri D.M., me qëllim të
hakmarrjes ndërmerr veprime të dëmshme ndaj të dëmtuarave të lartcekura, në atë
mënyrë që pasi të njëjtat së bashku me prindërit e tyre më datë 14.05.2022
raportojnë të pandehurin në polici për shkak të dhunës fizike të aplikuar ndaj
tyre, në mundësinë e parë që paraqiten në lëndën e Matematikës të cilën e mbanë
i pandehuri/arsimtari D.M., i njëjti fillimisht në prani të gjithë nxënësve të
klasës i fyen me fjalë të ndryshme, më pas të dëmtuarave në shenjë hakmarrje,
ua mbyllë notat e dobëta në lëndën e Matematikës. Me këto veprime, i pandehuri
ka kryer veprën penale “Hakmarrja” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së
aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor,
administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për
veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas
ligjit. Po ashtu, prokurori i ka propozuar gjykatës që t’i shqiptoj të
akuzuarit dënimin plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në
administratën publike ose në shërbimin publik.

You may also like