AFGANISTAN – Qindra të vdekur pas një tërmeti 6,1 ballë Rihter

by admin
Spread the love

ISLAMABAD, 22 qershor /ATSH-DPA/ – Të paktën 255 persona humbën jetën pas një tërmeti që goditi lindjen e Afganistanit gjatë natës, njoftoi sot agjencia shtetërore afgane e lajmeve, Bakhtar.

Sipas raportit, 155 persona të tjerë u plagosën në tërmetin me magnitudë 6,1 që goditi provincën lindore të vendit, Paktika.

Zyrtarët lokalë vlerësojnë se numri i të vdekurve mund të rritet më tej nëse qeveria nuk arrin të dërgojë ndihmë emergjente në zonat e prekura.

Në një deklaratë, zëdhënësi i qeverisë së talibanëve, Bilal Karimi, u kërkoi agjencive të ndihmës që të dërgojnë ekipe në zonat e prekura për të parandaluar “katastrofa të mëtejshme”.

Mediat lokale raportuan se një fshat në provincë u shkatërrua plotësisht.

Departamenti meteorologjik i Pakistanit gjithashtu raportoi se tërmeti ishte me magnitudë 6,1 ballë Rihter, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS) raportoi një tërmet me magnitudë 5,9 me një pasgoditje pak më të dobët dhe një epiqendër rreth 50 kilometra në perëndim të qytetit Khost.

Rajonet veriperëndimore të Pakistanit kufizohen me zonën në lindje të Afganistanit ku goditi tërmeti.

Lëkundjet u ndjenë në qytetet pakistaneze, përfshirë kryeqytetin Islamabad dhe qytetin lindor të Lahores, por fillimisht nuk u raportuan humbje jetësh apo ndërtesash në Pakistan.

Tërmetet janë të zakonshme në rajon dhe shpesh shkaktojnë dëme të konsiderueshme./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like