A do të kandidojë për kryetare të PD-së? Ja si përgjigjet Jozefina Topalli

by admin
Spread the love

Ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka komentuar mbrëmjën e sotme një deklaratë të saj që ajo ka thënë më herët se ”kur të ikë Lulzim Basha, do të kthehet në PD”, duke konfirmuar kështu se shumë shpejt mund ta shohim pjesë të kësaj partie.

E pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryetare e PD, Topalli u shpreh e prerë në një intervistë në “Klan Tv” se nuk do të garojë për kreun e kësaj force politike, pasi sipas saj i takon Sali Berishës.

Pyetje: Ju do t’i bashkoheshit situatës së PD-së që është tani nëse do të kishit një ftesë nga Berisha? Ju keni gjithë autoritetin tuaj dhe nuk ka forcë që ju ndal.

Jozefina Topalli: Unë kam thënë se kur të ikë Lulzim Basha, unë do të kthehem në PD. Shumica kanë ardhur tek ato kauza që unë kam ngritur gjatë viteve. Unë do të dëshiroja që të mbështesja një proces të sinqertë dhe të vërtetë me kushtin që të gjithë ata që kanë mbështetur Lulzim Bashën gjatë kësaj periudhe të tregojnë që distancohen nga politika e klientelizmit me vepra. Unë besoj në bashkime vlerash, nëse kjo do bëhet, unë do të jem e përfshirë.

Pyetje: Do të thotë se do të ktheheni në PD?

Jozefina Topalli: Unë nuk jam larguar kurrë nga Partia Demokratike. Unë jam aty ku kam qenë gjithmonë. Janë të tjerët që po afrohen tek unë.

Pyetje: Do të mbështesnit Berishën për kryetar të PD-së?

Jozefina Topalli: Unë do të mbështes mekanizimin e votës që është i vetmi instrument që të jep legjitimitet.

Pyetje: A keni ambicie për të qenë kryetare e Partisë Demokratike?

Jozefina Topalli: Jo, e prerë jo! Nuk kam ambicie për të qenë kryetare e PD, kjo është parti që ka treguar se është e Sali Berishës. Të thuash të kundërtën është si të gënjesh veten. Më pëlqen apo nuk më pëlqen, ky është realiteti.

You may also like