IRAN – Policia arreston aktoren e njohur Taraneh Alidoosti për protesta

by admin
Spread the love

TEHERAN, 18 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një aktore e famshme iraniane është arrestuar nga autoritetet në lidhje me protestat që po trazojnë vendin, tre muaj pasi vdekja e një gruaje në paraburgim, shkaktoi zemërim në mbarë vendin.

Taraneh Alidoosti u arrestua dje në mbrëmje vonë për “përhapjen e informacionit të rremë dhe mbështetjen e qarqeve kundërrevolucionare”, sipas Tasnim, një agjenci lajmesh pro qeveritare.

Kjo akuzë parashikon burgim të gjatë.

Alidoosti është ndër aktoret më të paguara në Iran dhe një nga më të famshmet jashtë vendit, ku ajo njihet për “The Salesman” dhe “All About Elly”, të dyja të drejtuara nga dy herë fituesi i Oskarit, Asghar Farhadi.

Këtë vit ajo ishte në premierën e filmit të saj më të fundit “Leila’s Brothers” në Festivalin e Kanës.

Megjithatë, Ministria e Kulturës e Iranit ndaloi shfaqjen publike të filmit në kinematë iraniane.

Ajo ka postuar një foto të saj pa shami në faqen e saj në Instagram, në shenjë solidariteti publik me protestuesit.

Demonstratat që po zhvillohen në të gjithë Iranin u shkaktuan nga vdekja e gruas kurde iraniane Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim nga policia më 16 shtator pasi u arrestua nga policia e moralit për shkelje të kodeve të rrepta islame të veshjes, me sa duket në lidhje me shaminë e saj.

Të paktën 18 000 persona janë burgosur nga autoritetet iraniane për protestat, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Më shumë se 475 persona thuhet se janë vrarë në demonstrata.

Alidoosti u vlerësua për trimërinë e saj brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë Irani po kërcënon të bllokojë përgjithmonë aplikacionet WhatsApp dhe Instagram, të cilat janë shumë të njohura në vend./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like