Taravari takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama

by admin
Spread the love




Një delegacion i kryesuar nga u.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, i shoqëruar nga Isen Shabani – kryetar i Komunës së Vrapçishtit dhe Ilire Dauti, deputete në kuvendin e Maqeodnisë së Veriut, sot në Tiranë u pritën nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në fillim të takimit, ata përgëzuan Kryeministrin Rama për lidershipin e dëshmuar nga Republika e Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar si Kryesuese e OSBE-së dhe si anëtare e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, ku Tirana ka luajtur rol vendimtar në rezolutat e ndryshme ndërkombëtare kundër agresionit rus ndaj Ukrainës. Kryetari Taravari shprehu bindjen se ky lidership po konfirmohet tani edhe me organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor i 6 dhjetorit, një ngjarje historike për Tiranën dhe tërë rajonin, që na bën të mburremi si shqiptarë.

Në takim, po ashtu u shpreh edhe njëherë mbështetja e parezervë që jep Aleanca për Shqiptarët për nismën e shtetit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku kërkohet rishikimi i Rezolutës 1782 të vitit 2011. Delegacioni i ASH-së, i shprehu falënderime Kryeministrit shqiptar për rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimet rajonale, përfshirë solidaritetin shembullor me Maqedoninë e Veriut në rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, ku dy vendet kanë ecur në paketë deri më tani.

Çështje tjera me interes të veçantë që u shtruan në këtë takim ishin edhe ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qëllim vazhdimin e rrugës evropiane të RMV-së.

 

 


You may also like