PARIS – Dhjetëra fluturime anulohen në ditën e tretë të grevës

by admin
Spread the love

PARIS, 2 korrik /ATSH-AA/- Kaosi ka mbizotëruar në aeroportet e Parisit pasi punonjësit kanë vazhduar protestën e tyre për paga më të larta për të tretën ditë radhazi.

Dhjetëra fluturime u anuluan në aeroportin kryesor ‘Roissy-Charles de Gaulle’ të Parisit dhe pasagjerët u përballën me një sërë problemesh, përfshirë bagazhe të humbura dhe radhë të gjata.

Sipas një raporti nga e përditshmja ‘Liberation’, një në pesë fluturime u anuluan nga ora 5 e mëngjesit të sotëm deri në mesditë.

Autoritetet e aeroportit të Parisit, përfshirë personelin me kontratë dhe atë të përkohshëm, si dhe zjarrfikësit në ‘Charles de Gaulle’, kanë qenë në grevë që nga e enjtja.

Ata kanë paralajmëruar një tjetër grevë nga 8 deri më 19 korrik, fundjavën që shënon fillimin e pushimeve verore, për të nxitur përmbushjen e kërkesave të tyre.

Punonjësit po kërkojnë një rritje prej 6 për qind të pagës në mënyrë retroaktive deri më 1 janar dhe rekrutim urgjent për të vazhduar me rritjen e kërkesës për udhëtime.

‘France24’ raportoi se Daniel Bertone, një përfaqësues i sindikatës ‘CGT’, tha se oferta e operatorit të aeroportit ‘ADP’ për një rritje të pagës me 4 për qind nga 1 korriku është refuzuar.

Zyrtarët e sindikatës thanë se trafiku dhe fitimet e aeroportit janë rritur në nivelin e para pandemisë COVID-19, por punonjësit nuk kanë marrë asnjë rritje pagash që nga viti 2019.

Kriza në Paris ka prekur edhe trafikun ajror në Nice, një qendër turistike në Francën jugore.

Kanali i lajmeve ‘France 3’ raportoi se rreth 20 fluturime midis qyteteve Paris dhe Nice u anuluan vetëm ditën e sotme.

Me herët,  ‘BFMTV’ raportoi se sistemi i bagazheve në ‘Charles de Gaulle’ ishte bllokuar për shkak të një problemi teknik, duke lënë mijëra pasagjerë në pritje të bagazheve të tyre.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like