Që nga krijimi i Gjykatës së Lartë amerikane në vitin 1790, ajo ka marrë vendime për dhjetëra mijëra çështje.
Vendimet e gjykatës i kanë dhënë formë kuadrit ligjor të Shteteve të Bashkuara dhe aspekteve të panumërta të shoqërisë amerikane. Në materialin në vazhdim, le t’i hedhim një vështrim çështjeve që kanë patur një ndikim të madh në jetën amerikane, përfshirë vendimin historik për të drejtën e abortit, në çështjen Roe kundër Wade, si dhe vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë që e rrëzoi atë.
Në vitin 1898 vendimi për çështjen Shtetet e Bashkuara kundër Wong Kim Arkkrijoi precedentin se cilido që lind në Shtetet e Bashkuara është shtetas amerikan pavarësisht nga shtetësia e prindërve.
Me një vendim 6 me 2, Gjykata e Lartë vendosi se Wong Kim Arkut, i cili u lind në San Françisko nga prindër kinezë, i takonte shtetësia për shkak se lindi brenda Shteteve të Bashkuara. Gjykata iu referua Amendamentit të 14-të të Kushtetutës, ku thuhet se: “Të gjithë personat e lindur apo të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara, janë subjekt i juridiksionit në fjalë, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara”.
Për çështjen Brown kundër Bordit të Arsimit në vitin 1954, Gjykata e Lartë mori vendimin unanim se ndarja sipas racës në shkolla ishte jokushtetuese. Vendimi 9 me 0 rrëzoi një vendim të mëparshëm të vitit 1896 që gjykata kishte marrë për çështjen Plessy kundër Ferguson, që lejoi arsimin sipas parimit “të ndarë por të barabartë”.
Me vendimin e ri gjykata u shpreh se “mjediset e ndara arsimore janë në thelb të pabarabarta”, dhe vendosi se ndarja në shkolla shkel parashikimin për mbrojtje të barabartë në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës. Ky vendim i mundësoi qeverisë federale të urdhëronte heqjen e praktikës së ndarjes sipas racës në shkolla dhe ndihmoi lëvizjen e të drejtave civile në vend.
Çështja Engel kundër Vitale e vitit 1962 vendosi precedentin se shkollat publike nuk mund të organizojnë lutje fetare për nxënësit. Gjykata vendosi 6 me 1 se sistemi shkollor i Nju Jorkut po vepronte në mënyrë antikushtetuese duke e filluar çdo ditë me një lutje ku përmendej Zoti.
Megjithëse lutja ishte vullnetare, gjykata u shpreh se nuk ishte e përshtatshme për qeverinë që të përqafonte një sistem të caktuar besimi. Vendimi thotë se veprimet e qeverisë shkelën Amendamentin e Parë të Kushtetutës, ku garantohet liria e besimit dhe i ndalohet qeverisë të “vendosë” një fe të caktuar.
Vendimi për çështjen gazeta New York Times kundër Shteteve të Bashkuara në vitin 1971, të cilës shpesh i referohen si çështja e “Dokumentave të Pentagonit”, zgjeroi lirinë e shtypit. Vendimi i lejoi gazetat “The New York Times” dhe “The Washington Post” të botonin Dokumentat e Pentagonit, një raport i qeverisë amerikane për përfshirjen në Luftën e Vietnamit. Gjykata vendosi 6 me 3 se gazetat kishin të drejtën, sipas Amendamentit të Parë, për të publikuar dokumentat e klasifikuara dhe u shpreh se qeveria nuk arriti të provojë se botimi i tyre do t’i shkaktonte dëm Shteteve të Bashkuara.
Top Channel