50 golat më të shpejtë në histori, Haland një alien. Misioni i norvegjezit janë 100 golat e Alan Shirerit

by admin
Spread the love

Erling Haland ka thyer rekordin e Endi Kolit me 17 ndeshje, duke u bërë lojtari më i shpejtë që ka shënuar pesëdhjetë gola në historinë e Premier Ligës.

Goli i sulmuesit kundër Liverpulit ishte i 50- ti në kampionat që nga transferimi te Mançester Siti për 51 milionë paund në vitin 2022. Ai e ka prekur këtë shifër jubilare në vetëm 48 ndeshje në kampionat, duke thyer rekordin e gjatë të ish-sulmuesit të Mançester Junajtidit, Endi Kol, të cilit për shënuar 50 golat e parë në kampionat iu deshën 65 ndeshje. Tani 23- vjeçari kryeson një listë me yje sulmuesish, me Alan Shirerin (66 ndeshje), Rud van Nistelroin (68), Fernando Torresin dhe Mohamed Salahun (72). Për norvegjezin, ishte goli i 14-të në 13 javët e para të Premier Ligës së këtij sezoni. Sezonin e shkuar ai theu gjithashtu rekordin për golat e shënuar në një sezon me 38 ndeshje, duke festuar 36 herë dhe thyer rekordin e Shirerit dhe Kolit.

Dhe me 12 gola në Champions në 11 paraqitje atë sezon, ai ndihmoi “qytetarët” që të fitonin tripletën historike. Tani rekordi i Endi Kolit nuk ekziston më, megjithatë Haland ka shënuar gola me penallti në këto 50 gola të parë në Premier Ligë, ndërsa ish-sulmuesi anglez nuk u prezantua kurrë për të shënuar nga pika e bardhë. Por kjo nuk e zbeh aspak rekordin e ish-yllit të Borusias së Dortmundit, sepse tifozët e Mançester Sitit vazhdojnë që të shohin rekorde të njëpasnjëshme të thyera nga talenti norvegjez.

Tani Haland i vë syrin një tjetër rekordi, atë të sulmuesit që i ka shënuar më shpejt 100 golat në Premier Ligë. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Premier Ligës, Alan Shirer, mban këtë rekord, ndërsa atij iu deshën 124 ndeshje për të tundur rrjetën 100 herë në Premier Ligë. Me një mesatare të tillë golash, Erling, duket se nuk do ta lërë edhe këtë rekord pa thyer.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

You may also like