Zyrtari ukrainas: Forcat tona mund të tërhiqen nga qyteti kryesor lindor

by admin
Spread the love

Ushtria ukrainase mund të tërheqë trupat nga qyteti lindor, Bakhmut, tha të mërkurën një këshilltar i presidentit të Ukrainës, ndërsa Rusia po kryen një ofensivë të përgjakshme, disamujore për të pushtuar qytetin.

“Ushtria jonë padyshim do të peshojë të gjitha opsionet. Deri tani, forcat tona e kanë mbajtur qytetin, por nëse është e nevojshme, ata do të tërhiqen strategjikisht”, i tha televizionit amerikan CNN Alexander Rodnyansky, këshilltar ekonomik i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Beteja për qytetin Bakhmut, në rajonin e Donetskut të Ukrainës, është bërë një simbol i rezistencës ukrainase. Forcat e Kievit janë përballur me goditje të pandërprera me granata, ndërsa është njoftuar për viktima të shumta mes forcave ruse gjatë përpjekjeve mujore për ta pushtuar qytetin.

Zoti Rodnyansky vuri në dukje se Rusia po përdorte trupat më të afta të Grupit paraushtarak Wagner në përpjekjet për të rrethuar qytetin. Kompania private ushtarake e njohur për taktikat brutale drejtohet nga Yevgeny Prigozhin, një person i afërt për një kohë të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin.

Zoti Prigozhin tha të mërkurën se deri më tani nuk kishte parë asnjë shenjë të një tërheqjeje ukrainase nga qyteti. Ai pohoi se Kievi në fakt ka përforcuar pozicionet e tij atje.

“Ushtria ukrainase po dislokon trupa shtesë dhe po bën gjithçka që mundet për të mbajtur kontrollin e qytetit”, tha zoti Prigozhin.

“Dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas po bëjnë rezistencë të ashpër dhe luftimet po bëhen gjithnjë e më të përgjakshme çdo ditë.”

Pamjet e fundit me dron tregojnë shkallën e shkatërrimit në qytet, ndërsa presidenti ukrainas, Zelenskyy e ka përshkruar qytetin si “të shkatërruar”.

Ndërkohë, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, mohoi të mërkurën se Ukraina kishte përdorur dronë për të sulmuar territorin rus pas deklaratave zyrtare ruse se Ukraina kishte vënë në shënjestër infrastrukturën thellë brenda Rusisë.

“Ukraina nuk godet territorin e Federatës Ruse. Ukraina po bën një luftë mbrojtëse me qëllim të çlirimit të të gjitha territoreve të saj”, shkruante zoti Podolyak në Twitter, duke sugjeruar se vënia në shënjestër i infrastrukturës ruse ishte rezultat i “sulmeve të brendshme”.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës i kanë kërkuar Ukrainës që të mos sulmojë objektivat në Rusi për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Deklarata e zotit Podolyak merret si përpjekje e Kievit për të ruajtur një shkallë mohimi në funksion të këtyre shqetësimeve perëndimore.

Në të kaluarën, zyrtarët ukrainas nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në Rusi, por gjithashtu kanë këmbëngulur se Ukraina ka të drejtë të godasë çdo objektiv në territorin rus në përgjigje të agresionit të saj.

I pyetur në lidhje me mohimin e zotit Podolyak, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Ne nuk e besojmë”.

Fotografitë e një droni që ra në afërsi të fshatit Gubastovo, më pak se 100 kilometra larg Moskës, treguan se ishte një model i vogël i prodhuar nga ukraina, me një rreze deri në 800 kilometra, por pa kapacitet për të mbajtur një ngarkesë të madhe eksplozivi.

Në rajonin rus Bryansk, guvernatori lokal Aleksandr Bogomaz tha në një postim në Telegram se forcat ruse kishin rrëzuar një dron tjetër ukrainas të martën. Zyrtarët thanë se dronët nuk shkaktuan lëndime dhe nuk shkaktuan ndonjë dëm të konsiderueshëm.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se parandaloi një sulm masiv me dron në Krime. Sipas mediave shtetërore ruse, gjashtë dronë u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore, ndërsa katër të tjerë u çaktivizuan nga sistemet elektronike që përdorin sinjale elektromagnetike për të kapur dhe rrëzuar mjete si dronët.

Në Ukrainë, të paktën nëntë civilë u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën në të gjithë vendin të martën, njoftoi zyra e presidentit ukrainas të mërkurën në mëngjes.

Luftimet e ashpra vazhduan në provincën lindore të Donetskut, në qytetet Bakhmut, Avdiivka dhe Vuhledar, të cilat së bashku me 17 qytete dhe fshatra të tjerë u përballen me granatime të shumta ruse.

“Granatimet nuk ndalen përgjatë gjithë vijës së frontit”, tha zyra presidenciale përmes një njoftimi.

Në provincën më lindore të vendit, Luhansk, guvernatori rajonal Serhiy Haidai tha se ushtria ukrainase hodhi në erë një magazinë në Kadiivka të kontrolluar nga Rusia brenda një fabrike ku forcat ruse ruanin kamionë të mbushur me municion.

Ushtria ruse u përpoq të thyente mbrojtjen e Ukrainës në Bilohorivka dhe afër Kreminës, “por sulmi rus u zmbraps”, tha zoti Haidai./Voa


Top Channel

You may also like