Zyrtari evropian: Një e katërta e forcave ruse “efektivisht jofunksionale”

by admin
Spread the love

Rreth një e katërta e forcave ruse të përdorura në pushtimin e Ukrainës janë “në mënyrë efektive jofunksionale”, sipas një zyrtari evropian, pas humbjeve të rënda dhe logjistikës së dobët, si dhe mungesës së mbështetjes.

Rusia kishte grumbulluar rreth 120 grupe taktike të batalioneve (BTG), rreth Ukrainës përpara fillimit të agresionit, shkruan CNN.

Dhe gjashtë javë pas fillimit të agresionit, afërsisht 29 prej tyre tani janë jashtë funksionit, tha zyrtari.

Forcat ruse janë përpjekur të kombinojnë disa nga pjesët e mbetura të BTG-ve në njësi luftarake koherente, duke përdorur mbetjet e dy ose tre BTG-ve për të bërë një, shtoi zyrtari.

Komentet vijnë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov pranoi shkurtimisht se Rusia kishte pësuar humbje “të rëndësishme” të trupave të saj në Ukrainë, duke e quajtur atë “një tragjedi të madhe” për vendin në një intervistë me Sky News.

I pyetur nëse tërheqja e trupave ruse nga Kievi dhe rajoni i tij mund të shihet si “poshtërim” për Kremlinin, Peskov tha se përdorimi i këtyre fjalëve do të ishte “një kuptim i gabuar i situatës”.

“Ne kemi humbje të konsiderueshme trupash dhe kjo është një tragjedi e madhe për ne”, pranoi Peskov, përpara se të pretendonte se arsyeja e tërheqjes së Rusisë nga rajonet e Kievit dhe Chernihiv ishte “një akt i vullnetit të mirë gjatë negociatave midis delegacioneve ukrainase dhe ruse”.

Peskov shtoi se Rusia e bëri këtë për të “hequr tensionin nga ato rajone në mënyrë që të tregojë se Rusia është vërtet e gatshme të krijojë kushte komode për vazhdimin e negociatave”.

CNN shkruan se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë se sa trupa ruse janë vrarë në Ukrainë.

Zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s vlerësuan muajin e kaluar se viktimat ruse variojnë nga 3,000 deri në 10,000. E zyrtarët ukrainas kanë pohuar se numri është edhe më i lartë.

Rruga Press

You may also like