Zhvillimet në M-NAV, Osmani mohon se ka pasur reagim nga NATO – Shqip

by admin
Spread the love

“NATO NUK REAGON PËR ÇËSHTJE TË BRENDSHME TË SHTETEVE ANËTARE”

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka përgënjeshtruar pretendimet e presidentit të shtetit Stevo Pendarovskit dhe ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska se NATO ka reaguar në lidhje me zhvillimet që kanë ndodhur së fundmi në M-NAV, përkatësisht incidentit të dhunshëm që ndodhi në hapësirat e këtij institucioni. Në një deklaratë për Klan Maqedoni, Osmani tha se, NATO nuk reagon për çështje të brendshme të shteteve anëtare dhe po të kishte ndonjë reagim, ai do të bëhej përmes Ministrisë së Jashtme apo delegacionit të vendit në Bruksel.

“NATO nuk reagon për çështje të brendshme të vendeve anëtare. Nën një, NATO komunikimin me shtetin e bën nëpërmjet Ministrisë së Jashtme dhe nuk ka pasur asnjë komunikim, të çfarëdo forme për këtë temë, qoftë me delegacionin tonë në Bruksel, ose me ministrinë tonë këtu. Ashtu që, besoj se ka një keqkuptim se, për shkak se NATO nuk ka reaguar dhe e dyta, vlerësimi i Agjencisë për Kontroll Civil të  Aviacionit ishte se nuk ka pasur kërcënim të sigurisë së transportit ajror dhe për këtë arsye nuk besoj që ka ndonjë arsye për reagim” – tha Bujar Osmani.

Deklaratat e presidentit dhe ministres së Mbrojtjes, i ka quajtur keqinterpretim, ndërsa shtoi se institucioni përkatës konstatoi se incidenti në M-NAV nuk ka rrezikuar trafikun ajror.

“Kishte disa informacione se paska pasur fluturime të avionëve të NATO-s gjatë asaj periudhe dhe kjo besoj është keqinterpretuar, por reagim të NATO-s për këtë temë nuk ka pasur” – tha Bujar Osmani.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ditë më parë, duke komentuar incidentin në M-NAV, deklaroi se, ka pranuar reagime nga ambasadat dhe nga përfaqësues të lartë të NATO-së, të cilët kanë parashtruar pyetje se a është e sigurt hapësira ajrore e Maqedonisë edhe për avionët e NATO-s. Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska tha se, nuk ka pasur reagim zyrtar të shkruar, megjithatë ka pasur interesim nga vendet anëtare të NATO-s për zhvillimet në M-NAV. /KlanMacedonia/

You may also like