Zgjedhjet paraprake në New Hampshire, Trump mund bindshëm Haleyn – Shqip

by admin
Spread the love

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka fituar në zgjedhjet fillestare për president në New Hampshire, duke iu afruar edhe më shumë nominimit të republikanëve në garën e madhe të nëntorit. Pas gati 80% të votave të numëruara, Trump ka fituar bindshëm, me 11% më shumë përparësi sesa konkurrentja Nikki Haley.

Haley, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, është zotuar se do të vazhdojë garën, pavarësisht humbjes të së martës. Trump, e ka sulmuar Haleyn në fjalimin e fitores dhe ka thënë se kur të mbahen zgjedhjet fillestare në vendlindjen e saj, në Karolinën e Jugut, “ne do të fitojmë lehtë”.

Në fjalimin e tij ai ka bërë paralajmërime edhe për imigrimin dhe i ka përsëritur pretendimet e pavërteta për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Haley, në anën tjetër, ka insistuar që gara është “larg përfundimit” dhe u ka thënë mbështetësve se demokratët duan më shumë garë me Trumpin, për shkak të historikut të tij “kaotik”.

“Ata e dinë se Trumpi është republikani i vetëm në shtet, të cilin mund ta mposhtë Joe Biden”, ka thënë Haley. Pavarësisht se New Hampshire i është shtuar në listën e shteteve të fituara, pas Ajovës, Trump ka vazhduar me retorikën e tij të ashpër, pa dhënë sinjale se synon të fitojë mbështetjen e votuesve më të moderuar, të cilët përkrahin Haleyn.

Në një moment të paraqitjes televizive, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara “janë të dështuara”, dhe ka pretenduar se migrantët pa dokumente janë duke u nisur drejt SHBA-së prej spitaleve psikiatrike dhe burgjeve, “për të vrarë shtetin tonë”. Presidenti aktual amerikan, Joe Biden, ka thënë më pas se “tani është e qartë se Donald Trump do të jetë i nominuari i republikanëve”.

“Mesazhi im ndaj shtetit është se rreziku nuk ka mundur të jetë më i madh. Demokracia jonë. Liria jonë personale – prej të drejtës për të votuar”, ka thënë Biden përmes një deklarate.

Biden, ndërkohë, ka shënuar një fitore jozyrtare në zgjedhjet fillestare të demokratëve në Nju Hempshir, duke ia dhënë një shtytje simbolike. Presidenti e ka kaluar ditën duke bërë fushatë, bashkë me nënpresidenten Kamala Harris, në Virxhinia, në një marsh për të drejtat për abortin.

Meqenëse Trump lavdëron veten për rolin që ka pasur për t’i dhënë fund të drejtës kushtetesue për abortin në SHBA, Biden i ka thënë një turme se ky republikan është i vendosur që me çdo kusht të vendosë kufizime shtesë./REL

You may also like