Zëri i Imri Trenës që po kumbon anembanë botës në ruajtjen e vlerave shqiptare

by admin
Spread the love

Imri Trena u lind më 1961 në fshatin Begracë të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, drejtimi i përgjithshëm. Imriu, si çdo i ri tjetër, kishte shumë dashuri dhe dëshira në jetë, por njëra nga dashuritë e tij ishte më e veçantë dhe që kishte zën vend që herët në zemrën e tij, ishte dashuria për gjuhën e pastër shqipe; dashuria për artin dhe fjalën artistike. Kjo ishte edhe arsyeja që në rininë e tij të hershme filloi të merret me krijimtari letare dhe të krijoj vargje të bukura që i buronin nga shpirti. Kësisoj, Imriu shkruante dhe u kushtonte vargje e vjersha mësuesve dhe atyre që jepnin kontribut në përhapjën e dijës; bukurive të atdheut dhe vendlindjës së tij; heronjve dhe ngjarjeve historike, dashurisë dhe ndjenjës për të bukurën. Krijimet e tija letrare i dërgonte dhe i botonte në gazetat dhe revistat e kohës. Kështu zë fill bashkëpunimi i tij me shumë media shqiptare dhe Imriu bëhet emër i njohur në rrethet e krijuesve të artit letrar. Vlen të përmendet edhe kontributi i tij dhënë mediave ndër vite: Radio Prishtina, Radio Tirana, Radio Ferizaj, Radio Gjilan dhe gjatë viteve të okupimit serb si korrespondent edhe në Radio Vat në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 1999, Imriu migroi në Norvegji. Atje, duke parë nevojen e domosdoshme të komunitetit shqiptar të mërgatës, për të ruajtë kulturën, doket, zakonet, traditat dhe identitetin kombëtar, merr iniciativën për të themeluar një radiostacion. Qëllimi ishte që përmes zërit të kësaj radio të jepte kontribut në mbrojtjën e mërgimtarëve nga asimilimi dhe në ruajtjen e gjuhës si dhe dashurisë për atdheun nga brezat më të rinj. Kështu, Imri Trena e themeloi, u bë edhe kryeredaktor dhe udhëheqës i Radiostacionit që u pagëzua më emrin “Zëri i Arbërit”.

Radio “Zëri Arbërit” menjëherë filloi të kryej misionin për të cilin ishte krijuar. U bë zëri arbëror i shqiptarisë në diasporë. U bë radiokanali më i dëgjuar në familjet shqiptare që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut. U bë radio me skemën programore shumë të qëlluar dhe që fliste veç shqiptarisht. S`ishte kjo rastësi, pasi Kryeredaktori Imri Trena kishte përvojë të pasur në fushën mediatike që nga rinia e tij e hershme. Është radio ku sot dëgjohet muzika e përzgjedhur nga tabani i vlerave kombëtare; dëgjohet fjala artistike dhe paraqitet fuqishëm shpirti i muzës shqiptare; dëgjohet nga goja e pleqëve të urtë krijimtaria gojore e popullit tonë si: fjalët e urta dhe urimet, anekdotat dhe proverbat, tregimet popullore dhe rrëfimet humoristike që gjithmonë përcjellin mesazhe të fuqishëm për zhvillimin dhe ruajtjen e vetive të mira njerëzore. Radio “Zëri i Arbërit”, i krijuar tash e njëzet vjet më parë, është bërë shembull për të mirë. Shembull se si duhet punuar njeriu kur ka dëshirë të sinqertë, vizion të qartë e qëllime fisnik për t`i dhënë krah të mirës së përgjithshme të komunitetit të mërgatës dhe shpirtit shqiptar. Radio “Zëri i Arbërit” pothuajse tashmë dëgjohet në të gjitha familjet shqiptare që jetojnë jasht atdheut, madje edhe përtej Atlantikut e në Zelandën e Re. Posedon arkivin e pasur të cilin e ka ngritur me përkushtim të jashtëzakontë që nga dita e parë e themelimit, 2 Korrik, 2001.

Veç veprimtarive tjera të shumta, Imri Trena u angazhua që të jepte kontribut me vlerë edhe në shkollën shqipe “Naim Frashëri”; 20 vite në Oslo, ku punon si arsimtarë që nga viti 2000; si dhe 6 vite edhe në shkollën shqipe “Nëna Terezë” në qytetin Ski. Ai punon me shumë përkushtim me nxënësit, duke pëcjell tek ata mesazhin e Rilindasve shqiptarë, për të mos e harruar as për një të vetmin çast Atdheun, për ta dashur e mësuar sa më mirë gjuhën shqipe dhe për ta vizituar sa më shpesh që është e mundur vendlindjen e tyre. Ndër vite ka përgaditur dhe udhëhequr me përkushtim programet kulturore artistike para mërgatës shqiptare në Oslo e rrethinë. Me korin e nxënësve të që të dy shkollave, kanë kremtuar festat kombëtare, (28 Nëntori – Ditën e Flamurit; Dita e Mësuesit 7 Marsi; 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës); i ka përgaditur nxënësit edhe në kuize diturie ku ato kuize kanë pasur frymë të shëndoshë garuese mes vehte dhe disa herë vet i ka shpërblyer nxënësit e tij duke dashtë që t`i stimuloj sa më shumë me dije dhe dashuri për Atdheun.

Në viti 2005 është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në Norvegji më 2011, themelues i të cilës është dhe kryetar i parë i saj në dy mandate; anëtar i LSHAKSH në Gjermani, Lidhjes së Krijuesve Shqiptar në Botë, 2013 si dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi XI Albani” që vepron në Suedi nga viti 2022. Emri i tij është i përfshirë dy herë në Kalendarin Historik të Botës Shqiptare në Radio Tirana dhe në leksikonin e shkrimtarëve shqiptar, (1501-2001), nga autori Hasan Hasani. Disa nga poezitë e poetit Imri Trena janë të përkthyera dhe botuara në antologji letrare në gjuhët norvegjisht, suedisht, anglisht e rumanisht si: “Etja e fjalëve” – Setea Cuvintelor”2012, “Zjarr i pashuar” – Foc nestins”,2012, grup autorësh, përkthyer nga Baki Ymeri në Bukuresht; “Një shekull dritë”, përgatitur nga Hasan Qyqalla, “Trinomi i Lirisë”, autorët Neki Lulaj e Hasan Qyqalla, 2012 nga LSHAKSH, në Gjermani,”Promenadë mërgimtare” nga LSHSHM 2014; “Mera sol åt Norge”(libër i përkthyer në gjuhën suedeze) 2016; “De vite natterna”(vëllim poetik i përkthyer në gjuhë suedeze) 2018 etj.

Ka të botuar këto vepra:
“Buzëqeshja e tretur”,1996
“Plagë në zemër”,1998
„Shtegtimi i shqipeve”,1999
“Prapa grilave”,2001
“Kosova ime e madhe”, 2002
“Andej është Kosova”, 2004
„Rruga e hidhur”, 2007
“Dhembje e lot”,2007
“Në Kampin Bjonerbek”, 2008
“Aromë manushaqeje”, 2008
“Mall i (pa)shuar”, 2012
“Migrimet e para të shqiptarëve në Norvegji”, 2012
“Netët e Bardha”, 2012
“Rruga për Vlorë”, 2013
“Me zërat arbënor të radio Zëri i Arbërit”, 2014
“A është larg Begraca”, 2015
“Më shumë diell për Norvegjinë”, 2015
“Mera sol åt Norge, (përkthyer në suedisht), 2016
“Nëpër përvjetor”, 2017
“Kushtim “Zërit të Arbërit”, 2018

“Thesarët e odave shqiptare” I, 2018

“De vite natterna” (përkthyer suedisht), 2018

“Pesë gishtat e dorës”, 2019

“Meçuria në sprovë”, 2019

“Thesarët e odave shqiptare” II, 2020

“Më fal tokë Arbënore”, 2020

“Zëra Shtegëtarësh”, 2020

“Vocraku shkruan libër”, 2021

“Dy dekada sfidë asimilimit”, 2021

“Thesarët e odave shqiptare” III, 2021
“Pinjolli i Sefer Kleçkës(Rrustem Xhemajl Seferi)” 2022
“Thesarët e odave shqiptare” IV, 2022
Ka në dorëshkrim edhe dhjetëra vepra tjera letrare.

Valët e “Radio Zëri i Arbërit” mundta dëgjoni në këtë vegëz:

https://denycomputers.com/radiozeriarberit/kontakt.html

You may also like