Zelensky: Rusia ka shkatërruar 30 për qind të stacioneve energjetike brenda një jave

by admin
Spread the love

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se forcat ruse kanë “shkatërruar” një të tretën e stacioneve ukrainase të energjisë, përmes sulmeve të vazhdueshme që kanë shënjestruar infrastrukturën e energjisë dhe kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të rrymës.

“Prej 10 tetorit, 30 për qind e stacioneve ukrainase të energjisë janë shkatërruar, duke shkaktuar ndërprerje në gjithë shtetin”, ka thënë Zelensky në Twitter.

Ai ka shtuar se “nuk ka mbetur vend për negociata me regjimin e (presidentit rus, Vladimir) Putinit”.

Disa rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kievin, janë përballur me probleme të energjisë, pas valës së re të sulmeve që kanë goditur objektet e energjisë më 18 tetor.

Në Kiev, operatori i energjisë, DTEK, ka thënë se ka pasur “ndërprerje” të energjisë dhe ujit për banorët e bregut të majtë të kryeqytetit.

“Inxhinierët janë duke kryer hetime dhe janë duke bërë gjithë përpjekjet e nevojshme për të rikthyer energjinë e banorëve”, ka thënë kompania përmes një postimi në Facebook.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje banorëve që të ruajnë rrymën “sa më shumë që është e mundshme” për të shmangur përdorimin e pajisjeve që kërkojnë konsum të madh.

Disa pjesë të rajonit Zhitomir, në perëndim të Kievit, kanë mbetur po ashtu pa rrymë, si pasojë e sulmeve, ka thënë guvernatori, Vitaliy Bunechko.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL


Top Channel

You may also like