Zelensky, pritet me ovacione në Kongresin amerikan: Ukraina nuk do të dorëzohet kurrë

by admin
Spread the love

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën në Kongresin amerikan se Ukraina vazhdon ende të qëndrojë, pavarësisht të gjitha parashikimeve kundër.

Fjalimi i tij para ligjvënësve amerikanë ishte pjesë e një vizite të shkurtër e sfiduese në kohë lufte në Uashington, me synim për të falënderuar udhëheqësit e vendit, si dhe amerikanët e thjeshtë, për mbështetjen që i kanë dhënë Ukrainës, në luftën kundër Rusisë. Zelensky u zotua se nuk do të bëjë kompromise në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Vizita e udhëheqësit të Ukrainës u shoqërua me miratimin nga Presidenti Joe Biden dhe Kongresi të një ndihme të re në miliarda dollarë dhe me premtimin për të ndihmuar Ukrainën që të arrijë atë që u quajt një “paqe e drejtë”.

Zelensky u përshëndet me ovacione të forta e të gjata nga ligjvënësit gjatë fjalimit të tij në Kapitol. Ai tha se Ukraina nuk do të dorëzohet kurrë, ndërsa paralajmëroi se konflikti nuk rrezikon thjesht vendit të tij, por vë në provë demokracitë në mbarë botën.

“Kjo betejë nuk mund të injorohet, me shpresën se oqeani apo diçka tjetër do të sigurojë mbrojtje”, tha ai, gjatë një fjalimit të mbajtur në anglisht para ligjvënësve, të cilin e cilësoi si një fjalim për amerikanët.

Zelensky shtoi se dhjetëra miliarda dollarë në ndihma amerikane për vendin e tij nuk ishin bamirësi, por një investim për sigurinë globale.

Ai tha se shpresonte që Kongresi do të vazhdonte ta mbështeste Ukrainën me një qasje dypartiake.

Deri tani nuk ka shenja për zhvillimin e bisedimeve për paqe me synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe si Rusia ashtu edhe Ukraina, kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për të vazhduar luftën. Por zoti Zelensky tha se kishte diskutuar me presidentin Biden mbi një formulë paqeje prej 10 pikash, ofruar nga Ukraina.

“Më vjen mirë që presidenti Biden mbështeti nismën tonë të paqes. Secili prej jush sot zonja dhe zotërinj mund të ndihmojë në zbatimin për të siguruar që roli udhëheqës amerikan të mbetet solid, e të gëzojë mbështetje dypartiake”, u Zelensky ligjvënësve amerikanë.

Përpara fjalimit në Kongres presidenti i Ukrainës u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti amerikan Joe Biden. Më pas dy homologët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Biden u kërkoi amerikanëve dhe mbarë botës, që të vazhdojnë të mbështesin Kievin edhe përgjatë vitit 2023. Kjo është vizita e parë e udhëheqësit të Ukrainës jashtë vendit, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 50 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, prej fillimit të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, konflikt gjatë të cilit janë vrarë me dhjetëra mijëra vetë, janë larguar miliona të tjerë nga shtëpitë e tyre, si dhe janë shkatërruar shumë qytete në të gjithë vendin.

Por disa republikanë, të cilët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve vitin e ardhshëm, kanë shprehur shqetësime për koston e lartë të luftës.

“Ndërsa i afrohemi vitit të ri, është e rëndësishme për popullin amerikan dhe për botën, të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ju zoti president për luftën e Ukrainës dhe nevojën për të vazhduar të qëndrojmë së bashku deri në vitin 2023”, tha Biden gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Biden tha se kurrë nuk e kishte parë NATO-n dhe Bashkimin Evropian më të bashkuar sesa në rastin e Ukrainës.

“Ne po diskutojmë për sanksione e trysni ligjore mbi vendin terrorist Rusinë”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha gjithashtu se një paqe e drejtë me Rusinë, nënkuptonte zero kompromis mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij, por ai vuri në dyshim nëse mund të ketë një paqe të tillë, për prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre në luftë.

“Nuk e di se çfarë do të mund të konsiderohej si një paqe e drejtë?!”, tha Zelensky duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth asaj që ai e konsideronte një mënyrë të drejtë për t’i dhënë fund konfliktit.

“Për mua si president, një paqe e drejtë nuk është kompromis mbi sovranitetin, lirinë dhe integritetin territorial të vendit tim. Do të thotë shpagim për të gjitha dëmet e shkaktuara nga agresioni rus”, vazhdoi Zelensky, duke iu referuar kërkesës së tij që Moska të paguajë për dëmet e shkaktuara.

Ai shtoi gjithashtu se do të jetë e vështirë të ketë një paqe të drejtë për prindërit, fëmijët e të cilëve janë vrarë.

“Shumë prindër kanë humbur djemtë dhe vajzat e tyre në vijën e frontit. Çfarë do të thotë për ta një paqe e drejtë? Paratë nuk janë asgjë”, shtoi ai.

Më herët gjatë takimit me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti Joe Biden garantoi për mbështetjen e Uashingtonit mes sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës.

Po sot administrata e Presidentit Biden njoftoi një pakete të re ndihme ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin edhe sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.

Prej kohësh Presidenti Zelenskiy dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë ushtruar trysni ndaj udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë armë më të avancuara, përfshirë sistemin e raketave ‘Patriot’, për të ndihmuar vendin e tyre në luftën kundër Rusisë.

Vendimi për dërgimin e sistemit të raketave ‘Patriot’ vjen pavarësisht kërcënimeve nga Ministria e Jashtme e Rusisë se furnizimi i Ukrainës me këtë sistem të avancuar raketash do të konsiderohej një hap provokues. Moska ka thënë se personeli ushtarak që do të shoqërojë sistemin e raketave ‘Patriot’ do të ishte një objektiv legjitim i goditjes nga forcat ruse.

Kremlini paralajmëroi të mërkurën se rritja e furnizimit të Kievit me armë nga Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të përkeqësonte luftën shkatërrimtare në Ukrainë, të cilën Rusia e filloi në mënyrë të paligjshme 10 muaj më parë.

You may also like