Yellen në Kongres: Nëse nuk ngrihet tavani i borxhit vendi përballet me katastrofë ekonomike

by admin
Spread the love

Sekretarja amerikane e Thesarit Janer Yellen thotë se, duke filluar nga 1 qershori qeveria e Shteteve të Bashkuara rrezikon të mbeten pa para.

Paralajmërimet e saj vijnë pak ditë përpara se Presidenti Joe Biden të takohet me ligjvënësit demokratë dhe republikanë për të diskutuar nevojat për rritjen e kufirit të huamarrjes.

Kaosi financiar dhe ekonomik do të pasojë nëse Kongresi nuk vepron për të rritur kufirin e borxhit në mënyrë që qeveria amerikane të marrë hua të tjera për të paguar shpenzimet, paralajmëroi Sekretarja e Thesarit Janet Yellen në emisionin “This Week” të rrjetit ABC.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për mospagesën e interesit të borxheve, pagat për Sigurimet Shoqërore, ose kujdesin shëndetësor për të moshuarit, thjeshtë nuk do të kemi para të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha detyrimet tona”.

Situata mund të ketë edhe pasoja ndërkombëtare.

“Letrat me vlerë që ofron Thesari amerikan përbëjnë themelet më të sigurta të sistemit financiar botëror. Dështimi i Shteteve të Bashkuara për të paguar borxhet do të vinte në pikëpyetje aftësitë tona të sigurimit të kredisë”, thotë zonja Yellen.

Të martën Presidenti Joe Biden pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dy partive në Kongres. Demokratët kanë bërë trysni që të rritet tavani i borxhit pa parakushte. Republikanët kërkojnë shkurtimin e shpenzimeve federale.

Senatori James Lankford foli në kanalin televiziv ABC lidhur me pritshmëritë nga takimi.

“Të gjithë e dinë se ka harxhime të kota në qeveri. Duhet të bisedojmë për këto gjëra dhe se cilat janë përparësitë tona. Si duhet të shpenzojmë për këto përparësi, dhe të sigurohemi që po reformohemi”.

Deri më tani Presidenti Biden ka refuzuar të negociojë me republikanët për tavanin e borxhit, duke këmbëngulur heqjen e kufirit pa kushte, siç është bërë dhjetëra herë në të kaluarën nga presidentët e të dyja partive.

Duke folur në emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC, udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries tha se demokratët e mbështesin presidentin.

“Përfundimisht, të gjithë vlerësojnë çdo pjesë të veçantë të legjislacionit që na paraqitet, por ne jemi në një hap me Presidentin Biden dhe me demokratët në Senat. Ne duam të bëjmë gjënë e duhur për popullin amerikan”.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dështuar kurrë në pagesat e borxhit. Ndërsa fondet pritet të mbarojnë këtë verë, thirrjet për negociata po shtohen çdo ditë. /VOA


Top Channel

You may also like