Xhiro e 11-të e Superligës në futboll mbyllet me dy ndeshje: Spikat ndeshja e nxehtë në Suharekë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Sot (e dielë) do të zhvillohen dy ndeshjet përmbyllëse të xhiros së 11-të në Superligën e Kosovës në Futboll.

Vëmendja është padyshim në Suharekë, ku Ballkani e pret skuadrën e Prishtinës në “Stadiumin e Qytetit”.

Ballkani është skuadra e vetme e pamposhtur deri më tani në këtë edicion të superligës, megjithatë ka një mori barazimesh, plot gjashtë të tillë, karshi katër fitoreve të tjera, e cila pozicionohet momentalisht në pozitën e tretë me 18 pikë të mbledhura, një më pak se Drita që është e dyta, dhe dy më pak se Gjilani që është lider i Superligës.

Në anën tjetër, Prishtina gjendet në pozitën e 5-të aktualisht në tabelë me 13 pikë të mbledhura pas 10 xhirove të para, gjersa kanë tri fitore, tri humbje dhe katër barazime.

Me një fitore potenciale, Ballkani do të rimerrte kreun e tabelës, kurse Prishtina do të mbetej në pozitën e njëjtë ku është por do të afrohej me pikë me skuadrat në kreun e tabelës.

Kujtojmë që në ndeshjen e parë të zhvilluar mes tyre, në xhiron e dytë, Ballkani kishte triumfuar ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri”, me golin vendimtar të Ermal Krasniqit.

Ndeshja zhvillohet nga ora 13:30 dhe transmetohet në kanalet e ArtSport.

Përballja tjetër interesante është ajo mes Drenicës dhe Dukagjinit.

Drenica e cila ka impresionuar këtë sezon me rezulate, i bën konak skuadrës së Dukagjinit nga Klina.

Drenicasit gjenden aktualisht në pozitën e katërt në tabelë me 17 pikë të mbledhura, gjersa vijnë pas një humbje ndaj Gjilanit, kurse Dukagjini pozicionohen në pozitën e tetë aktualisht me 10 pikë, që vijnë pas një barazimi të vlefshëm ndaj Ballkanit.

Ndeshja fillon nga ora 13:00 dhe transmetohet gjithashtu në kanalet e ArtSport.

You may also like