Xhaferi: Në Ankara do të kërkohen informacione se çka duhet të bëhet më tutje për ekstradimin e Palevskit

by admin
Spread the love

Një delegacion i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga më 8 shkurt do të qëndrojë për vizitë në Ankara ku do të ketë takime me përfaqësuesit zyrtarë turk, ndërsa një nga çështjet për të cilat do të bisedohet është ekstradimi i Lupço Palevskit, i dyshuar për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Kryeministri teknik Talat Xhaferi në intervistë për MIA-n thotë se nuk dëshiron të prejudikoj nëse këto bisedime do të mund ta përshpejtojnë ekstradimin e Palevskit, por thekson se është i nevojshëm komunikim personal dhe i drejtëpërdrejtë që të shihet se çka duhet të bëhet më tutje.

“Tani nuk dua të prejudikoj se cila, çka do të jetë përmbajtja e bisedimeve aty. Por, në çdo rast është i nevojshëm komunikimi i drejtëpërdrejtë dhe personal, që të shihet se cilat do të ishin veprimet, procedurat, të cilat do të duhej më tutje, eventualisht, të bëhen. Për këtë nevojitet komunikim personal dhe është vendosur në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet përkatëse vëllezërore me të cilat bashkëpunojmë dhe me të cilat në mënyrë adekuate kemi marrëveshje dypalëshe për komunikime”, tha Xhaferi në intervistë për MIA-n.

Nga Ministria e Drejtësisë për MIA-n konfirmuan se Lloga do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Turqi më 8 shkurt bashkë me përfaqësues të gjyqësorit. Do të takohet me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, ndërsa janë paraparë edhe takime me kryetarin e Kuvendit, me kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme, si dhe me përfaqësues të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.

Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se nuk mund të ndajnë informacione zyrtare se kur do të ekstradohet Palevski, ndërsa për atë se sa kohë ai mund të mbetet në Turqi është çështje e autoriteteve turke në bazë të ligjeve të tyre. Kur do të sillet në vend, Palevski do të dërgohet në institucionin ndëshkues – korrigjues në bazë të vendimit të gjykatës dhe më tutje vijon procedura para organeve gjyqësore.

MARKETING



You may also like