Vraponin për jetën e tyre: Si mbijetoi sporti në Sarajevën e rrethuar

by admin
Spread the love

Pavarësisht bombardimeve dhe zjarrit snajper, sportistët dhe sportistet e Sarajevës vazhduan të stërviteshin gjatë gjithë rrethimit të qytetit 1992-1995, madje arritën të përfaqësonin Bosnjën në turnetë ndërkombëtare.

Më 9 prill 1995, një volejbolliste 17-vjeçare e quajtur Maja Djokiç u godit nga një predhë jashtë ndërtesës së presidencës shtetërore të Bosnjës, ndërsa ajo ishte duke u kthyer nga stërvitja në Sarajevën qendrore.

Almir Hodziç, president i klubit të volejbollit Bosna, po kthehej gjithashtu nga stërvitja në të njëjtën ditë.

“Maja ishte simbol i Sarajevës kozmopolite, simbol i marrëzisë së luftës. I gjithë absurditeti i luftës reflektohet në fytyrën e saj”, tha Hodziç.

“Pasi u plagos rëndë në qafë me një copë shrapnel, një burrë që po mbillte lule para ndërtesës së Presidencës, i cili quhej Aleksandar, e mori Majën në krahë drejt makinës së tij të parkuar dhe e çoi në spitalin e Kosevos”, shtoi ai. Volejbollistja e re nuk mbijetoi.

Në fillim të rrethimit të kryeqytetit boshnjak, në të njëjtin vend ku u vra Djokiç, Ivan Ivandiç, një ish-anëtar i ekipit kombëtar të karatesë jugosllave dhe trajner i klubit të karatesë Bosna, dëshmoi një tjetër shpërthim artilerie ndërsa po shkonte për në një stërvitje në qendër në qendrën sportive FIS.

“Isha rreth 50 metra larg FIS kur ra një predhë. Shpërthimi më hodhi përpjetë. Një copë shrapnel m’u ngul në çizme, por nuk u lëndova”, kujton ai. Katër ose pesë persona u plagosën rëndë nga shpërthimi, tha ai.

Gjatë rrethimit të viteve 1992-1995, sportistët shkonin në këmbë në seancat stërvitore edhe pse ekzistonte një rrezik i vazhdueshëm për t’u goditur nga ndonjë predhë ose plumb snajperi.

Hodziç tha se pas vdekjes së Djokiçit, të cilën ai e përshkroi si një lojtare premtuese, klubi i volejbollit të femrave pushoi së funksionuari për 15 vitet e ardhshme.

Lojtari i Jdo Vinko Samarliç, volejbollisti Bedrudin Kameriç dhe hendbollisti Goran Cengiç ishin gjithashtu midis mijëra civilëve të vrarë gjatë rrethimit, shtoi ai.

Për shkak të mungesës së ushqimit, atletët hanin të njëjtën dietë si banorët e tjerë të Sarajevës dhe vuanin nga kequshqyerja.

Hodziç kujtoi se si çmimi për fituesit e një turneu volejbolli ishte një pako me ushqime që ishte marrë si ndihmë humanitare.

“Kështu që merrje atë pakon që kishte një copë djathë, dy çokollata dhe disa biskota humanitare”, tha ai.

“Më pas organizonim një mbledhje në klub dhe festonim për pakon”, shtoi ai.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ata mund të luanin vetëm në orët e ditës, por pasioni i tyre për karatenë i mbajti ata të vazhdojnë, tha Ivandiç.

“Kishte entuziazëm dhe dashuri për këtë sport, sepse njerëzit gjithmonë merren me karate nga dashuria; karateja nuk është aq fitimprurëse sa futbolli apo basketbolli”, theksoi ai.

“Më duket sikur isha gjithmonë një objektiv”


Mirsada Buriç duke vrapuar në rrugë e Sarajevës në 1992. Foto kortezi e Mirsada Buriç.

Mirsada Buriç, një atlete në distanca të gjata dhe studente gazetarie, boshnjake, u lirua nga një kamp paraburgimi në Rajlovac në fillim të qershorit 1992 dhe shkoi në Sarajevë, ku filloi stërvitjen për Lojërat Olimpike në Barcelonë, të cilat do të fillonin në fund të korrikut.

“Zakonisht dilja për të vrapuar kur mendoja se granatimet nuk ishin aq intensive. Më dukej sikur isha gjithmonë një objektiv, por inkurajimi dhe mbështetja e bashkëqytetarëve të mi më dhanë forcë shtesë për të rezistuar”, tha Buriç.

“Kur nuk mund të stërviteshim në rrugë për shkak ndonjë granatimi të ashpër, përdorja shkallët brenda godinave të banimit, si dhe një parking nëntokësor në hotelin Holiday Inn”, tha Buriç. Ajo ende mban rekordin në Bosnje dhe Hercegovinë për 5,000 metra, në ambient të hapur dhe të mbyllur.

Buriç tha se kur Komiteti Olimpik i Bosnjës dhe Hercegovinës filloi të ofronte ndihmë, ajo duhet t’i konsumonte vaktet e saj në hotelin Holiday Inn.

“Në atë kohë, restoranti i shërbente një kontigjenti gazetarësh të huaj dhe shefave të Forcës Mbrojtëse të OKB-së, UNPROFOR. Hoteli ishte nën zjarr dhe granatime të vazhdueshme me snajper, kështu që rrezikoja jetën time çdo ditë duke shkuar atje nga vendbanimi im i përkohshëm në Kosevsko Brdo për t’u ushqyer”, kujton ajo. Një shfaqje e njohur humoristike televizive boshnjake, “Nadrealisti”, e quajti atë “Madam Sniper” sepse ajo sfidoi personat e armatosur që e shënjestronin atë.

Dzelaludin Muharemoviç, një futbollist që luajti 300 ndeshje për klubin më të suksesshëm të vendit, Zeljeznicar Sarajevo, dhe shënoi më shumë se 170 gola, gjithashtu shkonte në këmbë nga njësi skaj i qytetit në skajin tjetër. Për të, stërvitja ishte një mënyrë për të harruar problemet e përditshme.

“Jetoja në lagjen Alipasino Polje dhe ecja më shumë se 7 kilometra për në Cengic Vila ose Skenderija. Aty mblidheshim, rrinim, luanim dhe stërviteshim, duke u përpjekur të ndiheshim si lojtarë në ato kohë të shëmtuara”, tha Muharemoviç.

Nuk kishte ujë në sallat sportive të Sarajevës, kështu që lojtarët që jetonin aty pranë sillnin ujë me kova ose shishe në mënyrë që të gjithë të mund të laheshin pas stërvitjes, kujton ai.

Pavarësisht këtyre kushteve, kampionati i parë i futbollit në Bosnjë e Hercegovinën e pavarur u luajt në vitin 1994. Në kualifikuese morën pjesë njëzet e dy ekipe të ndara në katër grupe, në Sarajevë, Tuzla, Zenica dhe Jablanica.

Turneu final u zhvillua në Zenica, ku klubi lokal Celik zuri vendin e parë, ndërsa Zeljeznicar Sarajevo doli i katërti.

“Kishte më shumë tifozë sesa në ndeshjet e sotme”


Trajneri i basketbollit Ibrahim Krehiç në kampionatin evropian në Gjermani në vitin 1993. Foto kortezi e Ibrahim Krehiç.

Igor Stojanoviç luajti për klubin e basketbollit Bosna në Sarajevë nga 1993 deri në 1998. Ai tha se gjatë rrethimit, një ligë basketbolli gjatë kohës së luftës u luajt në Sallën Skenderija, një arenë e mbyllur sportive.

“Në ato ndeshje kishte më shumë tifozë sesa ka në ndeshjet e sotme. Duke marrë parasysh luftën dhe numrin e ndeshjeve në një raund, gjatë një dite luheshin pesë apo gjashtë ndeshje”, kujton Stojanoviç.

“Skenderija shpesh ishte plot. Njerëzit sillnin ushqim nga shtëpia dhe qëndronin aty duke parë konkurrentët për dhjetë ose 12 orë në ditë. Ishte një arratisje nga lufta dhe një dëshirë për një jetë normale. Ne ndiheshim relativisht të sigurt, pasi një kompleks i OKB-së ishte pranë Skenderijas. Shumë lojtarë do të vinin nga vijat e para dhe luanin”, shtoi ai.

Ai shtoi se gjatë viteve të luftës, Cesko Promex ishte ekipi më i suksesshëm. Lojtarët e tij përfshinin lojtarë me përvojë dhe më të vjetër që kishin luajtur në ligën e dytë të Jugosllavisë para luftës.

Në vitin 1992, Shoqata e Basketbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës u pranua në Shoqatën Ndërkombëtare të Basketbollit, FIBA, dhe aplikoi për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Gjermani në vitin 1993. Ibrahim Krehiç u bë një nga trajnerët e ekipit të ri kombëtar.

“Përgatitjet për kampionatin filluan në dhjetor të vitit 1992. Stërvitja u zhvillua në palestrën e shkollës Slavisha Vajner Cica (tani Isak Samokovlija). Nuk ishte shumë e mirë apo e rregullt. Në sallë nuk kishte ngrohje. Gjëja kryesore ishte të mblidheshim dhe të rrinim me njëri-tjetrin”, tha Krehiç.

Adis Beciragiç, një lojtar i cili erdhi në Sarajevë nga Zenica në prill të vitit 1992 dhe më pas nuk mundi të kthehej për shkak se rrugët ishin të bllokuara, gjithashtu mori pjesë në përgatitjet për turneun evropian në Gjermani në palestrën e shkollës.

Një herë, kujton Beciragiç, shkolla u bombardua dhe “ne mezi dolëm gjallë”.

Kombëtarja e Bosnjës zuri vendin e tetë në Kampionatin Evropian, pozicioni më i mirë që ka arritur ndonjëherë.

“Të luash për kombëtaren e Bosnjës në atë periudhë do të thoshte të kishe ndjenja të përziera. Nga njëra anë, ndjenim krenari dhe lumturi të madhe, dhe nga ana tjetër, kisha frikë për familjen time pasi i kisha lënë pas në luftë”, tha Beciragiç.

“Me ç‘të drejtë mund ta lija familjen time?”


Islam Djugum para një automjeti të forcave paqeruajtës të OKB-së gjatë luftës. Foto kortezi e Islam Djugum.

Islam Djugum, një atlet i njohur për distanca të gjata dhe konkurrent olimpik, shpesh mund të shihej duke vrapuar nëpër rrugët e Sarajevës së rrethuar. Ai ishte ushtar në Ushtrinë Boshnjake, por kur nuk ishte në detyrë, vraponte nga 30 deri në 50 kilometra në ditë.

“Sarajeva nuk ishte mjaft e madhe për mua, kështu që vrapoja në kodrat përreth, përmes rrugës Put Zivota, nëpër platformat e stacionit hekurudhor, brenda në FIS (qendra sportive), kudo që gjeja hapësirë”, kujton Djugum.

Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme, ai u largua për herë të parë nga qyteti i rrethuar në vitin 1994 për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Helsinki, ku zuri vendin e 53-të nga 88 garues në maratonë.

Në nëntor të atij viti, ai mori pjesë në maratonën e Nju Jorkut, duke e përfunduar garën në vendin e 88-të nga 40,000 garues. Djugum tha se shpesh merrte oferta nga të njohur në mbarë botën për t’u larguar nga Sarajeva dhe për të vazhduar stërvitjen në një vend tjetër.

“Ata thoshin: ‘Aty ka luftë, ka të shtëna. Pse po kthehesh?’ Por me ç‘të drejtë ta lija familjen time? U ktheva në njësinë time ushtarake dhe u ktheva në realitetin tonë në Sarajevë”, tha ai.

Në prill 1995, ai organizoi Garën Atletike Ndërkombëtare Vivicitta në Sarajevë, e cila u mbajt në Skenderija dhe mblodhi 100 garues.

“I mbaj mend të gjitha këto sikur të kishin ndodhur dje. Bashkia digjej, por unë vrapova. Zetra (Salla Olimpike) ishte në zjarr, por unë vrapova”, tha ai.

“Jeta vazhdon. Rëndësi ka të vazhdosh të jesh optimist.”/balkaninsight/

Rruga Press

You may also like