Vranë zhvatësit, banorët e fshatit meksikan shpallen të pafajshëm – Shqip

by admin
Spread the love

Banorët e një fshati në Meksikë, të cilët vranë 10 anëtarët e bandës famëkeqe kriminale Familia Michoacana, nuk do të përballen me asnjë akuzë, pasi prokurorët dolën në konkluzionin se ata vepruan në vetëmbrojtje.

Sipas asaj që shkruan BBC, hetuesit prokurorët argumentuan se banorët e Texcapilla kishin qenë nën kërcënim të vazhdueshëm nga banda, që ishte përpjekur të zhvaste para nga fermerët.

Ata u thirrën në një fushë futbolli, ku anëtarë të kësaj bande hapën zjarr ndaj tyre. Por banorët iu kundërpërgjigjen me armë, përfshirë shotgun e hanxharë.

10 anëtarë të Familia Michoacana dhe 4 banorë mbetën të vrarë në përballjen e ashpër që ndodhi. 7 të tjerë mbetën të plagosur.

Në javët pasuese të asaj që banorët e zonës e kanë cilësuar si “masakra në fushën e futbollit”, ishin të shumtë ata që dëshmuan për autoritetet sesi Familia Michoacana kishte ushtruar pushtetin e saj në fshat.

Teksa biznesmenët lokalë prej kohësh paguanin “para për mbrojtje” për bandën, Familia Michoacana e kishte shtrirë kërkesën e saj edhe tek ata që punonin tokën.

Ata kërkonin nga fermerët që të paguan një tarifë tek grupi kriminal, për çdo metër katror që mbillnin. Por pas të korrave veçanërisht të varfra këtë vit, fermerët lokalë ishin përpjekur që të negocionin për uljen e tarifës në një takim të mbajtur më 7 Dhjetor. Përpjekja kishte qenë pa sukses.

Ishte pas këtij takimi të dështuar, kur banda urdhëroi fermerët për t’u mbledhur në një fushë futbolli. Fare pak kohë pas takimit, fermerët ranë dakord që t’i bënin ballë bandës kriminale duke refuzuar në grup për t’i paguar.

Hetuesit nga shteti i Mexico, ku ndodhet Texcapilla, dolën në përfundimin se të parët që hapën zjarr ishin anëtarët e grupit kriminal dhe se fermerët mbrojtën veten me mjetet e nevojshme.

Në mesin e të vrarëve ishte edhe lideri i Familia Michoacana në shtetin e Mexico, një person i njohur si “El Payaso” (klouni).

Ndonëse u duk se fermerët korrën një fitore atë ditë, banorët po jetojnë në frikën e një hakmarrje të mundshme nga grupi famëkeq.

Në veçanti ata janë të shqetësuar për fatin e 14 fshatarëve, mes të cilëve 4 fëmijë, të cilët u zhdukën në ditët pas përplasjes vdekjeprurëse.

Në zonë janë vendosur me qindra anëtarë të Rojes Kombëtare, me qëllim mbrojtjen e banorëve./tvklan.al

You may also like