Vlahoviç ambicioz: Të ngremë kupën dhe më pas synoj “Topin e Artë”

by admin
Spread the love

“Kanë kaluar mbi 2 vite që jam këtu dhe jam shumë i lumtur te Juventusi. Dua të fitoj diçka të rëndësishme këtu dhe vetëm më pas do të shoh se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”. I ftohtë, i sigurt mbi atë çfarë kërkon dhe me ide të qarta në kokë. Është ky Dushan Vlahoviç në intervistën për francezen “L’Equipe”, e cila ka dashur që të mësojë diçka më shumë mbi të ardhmen e bomberit serb të bardhezinjve, i cili prej kohësh është në shënjestrën e PSG-së, por jo vetëm, ndonëse nga çfarë tregon ballkanasi, ai është i bindur për të vazhduar në Torino, kur kërkon të lërë me çdo kusht gjurmën e tij dhe vetëm më pas të mendojë edhe ndonjë ndryshim ambienti të mundshëm.

Dushan, verën e kaluar ishte në shënjestrën e Çelsit, ndërsa sivjet edhe PSG është vënë në ndjekjen tënde, ke ndonjë koment për të bërë?

Unë nuk jam nga ata tipa që them se nuk lexoj, që nuk dëgjoj, por në të vërtetë nuk është se di diçka konkrete. Sidomos verën e kaluar ku përveç zhgënjimit nga mënyra sesi e mbylla sezonin, isha i përndjekur edhe nga problemet fizike, por jam i lumtur që ia dola t’i kaloj. Ajo çfarë unë mendoj është se dua të jem në formë dhe gjithmonë gati për Juventusin. E ardhmja ime është këtu në Torino, sepse pa fituar diçka këtu, as që kam ndërmend të lëviz. Më pas mund të mendoj për ndonjë hap të radhës.

Kualifikimi në Champions është një objektiv. Sa ju mungon Europa?

Do të jetë fantastike që të rikthehemi në Champions, sepse ky kompeticion nuk ka kuptim pa Juventusin dhe Juventusi nuk ka kuptim pa këtë kompeticion. Jemi fare pranë arritjes së objektivit dhe nëse do ia dalim do të jemi të gjithë të gëzuar. Sigurisht nuk do të jemi të lumtur totalisht, pasi deri në gjysmën e sezonit kishim edhe synime të tjera, por fakti që nuk ia dolëm që të luftojmë për titullin do të thotë se do të jetë një stimul më shumë për sezonin e ardhshëm. Nga ky sezon që po mbyllim kemi plot pengje, por ka ende ndeshje në të cilat mund të themi fjalën tonë dhe duhet ta mbyllim në mënyrën më të mirë.

Rikthimi në Champions është një objektiv dhe mëse i arritshëm, por cila është ëndrra e Dushan Vlahoviçit?

Ajo që pak a shumë ëndërrojnë të gjithë futbollistët: të fitoj “Topin e Artë”, ndonëse për të arritur tek ai në fillim duhet të lësh gjurmën në klubin tënd, në turnetë më të rëndësishëm. Kur vendos që të bëhesh futbollist stimujt e tu janë krenaria e të luajturit në klubet më të mira dhe lavdia finale. Pa këto të dyja jo vetëm trofetë që nuk do të vijnë, por as vlerësimet individuale. Unë jam ende në fillimet e mia, por po punoj çdo ditë për t’u bërë një futbollist më i fortë, më i zoti dhe më i kompletuar, për veten, për klubin dhe kombëtaren time.

Mendon se është ky sezoni yt më i mirë me Juventusin?

Sezonin e kaluar e thashë, nuk isha shumë mirë fizikisht, madje vuajta shumë. Por ky sezon është më ndryshe, fizikisht jam mirë dhe pjesën tjetër të gjërave e bëj si gjithmonë. Punoj fort, por vetëm se tashmë i kushtoj më shumë kujdes rikuperimit fizik. Kam shënuar 16 gola, 17 bashkë me një në Kupën e Italisë, por e di edhe vetë brenda meje se mund të kisha bërë shumë më shumë. Dua të shënoj gjithmonë e më shumë, dua të jem një nga ata futbollistë që do të mbahen mend nga njerëzit. Ka nga ata që luajnë futboll për para, por mua paratë nuk më interesojnë dhe ju betohem për këtë.

Sa ka ndikuar Italia në përmirësimin tënd si futbollist dhe cili ka qenë roli i Alegrit?

Në Itali punohet shumë mbi anën taktike, luhet shumë mbyllur në mbrojtje dhe kjo pa dyshim që të bën të mësosh shumë. Dhe mendoj se nuk mund të kisha pasur një trajner më të zotin sesa Masimiliano Alegri për të ma mësuar këtë gjë. Unë di të them se Maks është një nga trajnerët më të zotë të 20 viteve të fundit. Pika e tij më e fortë është që di të flasë me lojtarët, t’i dëgjojë dhe të kuptojë, më pas të punojë me ata.

Po ndryshimi nga Fiorentina te Juventusi cili ishte?

Duke mbërritur në Torino gjeta një realitet shumë ndryshe nga ai çfarë imagjinoja. Prisja më të mirën, por këtu është edhe më shumë sesa kaq. Ka një organizim të frikshëm, ka njerëz që mjafton t’u kërkosh edhe gjënë më të vogël dhe janë gati të të ndihmojnë edhe në përditshmërinë tënde. Është mahnitëse e gjithë kjo. Kur vë këmbë që në fillim në qendrën stërvitore të Juventusit, ndryshe nga diku tjetër, kuptohet qartë edhe arsyeja pse aty është detyrë të fitosh, por edhe nëse kjo nuk ndodh e di gjithmonë se je brenda një familjeje dhe që të gjithë të mbrojnë nga gjithçka dhe kushdo.

Je 24 vjeç dhe ke të gjithë karrierën përpara. Por cili është lojtari tek i cili Dushan Vlahoviç frymëzohet?

Që i vogël jam rritur duke parë Kristiano Ronaldon kur bënte anësorin ofensiv te Mançester Junajtid dhe mendoj se mund t’i bëja edhe unë. E vlerësoja në maksimum mënyrën sesi lëvizte në fushë, por mbi të gjitha instiktin prej killeri që kishte. Mendoj se Kristiano është pa dyshim një prej lojtarëve më të mirë të historisë. Pastaj Zlatan Ibrahimoviç është një që për nga cilësitë fizike më pëlqente ta ndiqja dhe gjithashtu të tentoja të mësoja diçka. Shumë i kompletuar ishte edhe Fernando Torres në epokën e Liverpulit, ndonëse më shumë se këdo tjetër adhuroj Karim Benzemanë. Edhe Zhiru është një gjigant, por pse statistikat e tij ndoshta nuk janë si ato të personave që përmenda më lart, nuk mund të shpjegohen vetëm me shifra rëndësia e një futbollisti. Prandaj edhe një si Zhiru i ul kapelën…

Po Vlahoviç çfarë lojtari që kërkon të jetë?

Do të doja edhe unë që të isha një si Mbapeja që ndonëse 25 vjeç ka fituar thuajse gjithçka, pasi është vërtet një kampion fenomenal. Por për këtë po punoj, që edhe unë t’ia arrij një ditë me Juventusin. Për sa i përket vlerësimit për veten, e di që nuk jam një lojtar i tipit Nejmar, Mesi apo Hazard, që kur të tjerët e shohin në aksion thonë, “uau”… Unë dua të jem një futbollist, një sulmues që kur të luaj mirë, e gjithë skuadra të luajë mirë. Sot futbolli ka ndryshuar. Njerëzit thonë që është më fizik, por unë mendoj se duhet një teknikë shumë e mprehtë për të qenë pjesë e futbollit të sotëm. Thonë gjithashtu se nuk ekzistojnë më as numrat 10 e një kohe, por unë mendoj se ka futbollistë madhështorë edhe sot. I shohim më pak, vetëm sepse sot futbolli është shumë më i shpejtë, kjo është arsyeja.

Sa pengje keni nga ky sezon dhe a mjafton Kupa e Italisë për t’iu përmbushur?

Pengjet janë të mëdha sepse mendonim dhe besonim se mund të kishim mbajtur gjallë luftën për titullin kampion, por pas barazimit me Empolin dhe humbjes me Interin sigurisht që diçka brenda nesh u fik dhe më pas na ndoqi një krizë e gjatë, e cila duhej të ishte shmangur. Por natyrisht që nga këto momente vetëm mund të mësosh për të ardhmen, kështu që tani të shpresojmë që të fitojmë Kupën e Italisë dhe të mbyllim sa më shpejt argumentin Champions në kampionat. Të paktën kështu mund të kemi më pak brenga brenda vetes dhe ta nisim më pozitivisht edhe punën për sezonin e ardhshëm.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like